Rritja e biznesit në Eurozonë u dobësua më shumë se parashikimet e analistëve gjatë Nëntorit për shkak se porositë e reja shënuan rënie për herë të parë në më shumë se 1 vit, pavarësisht rënies së mëtejshme të çmimeve.
Indeksi i përbërë i Markit, që bazohet në studimin e mijëra kompanive dhe cilësohet si një tregues i mirë i rritjes, ra në 51.4 pikë. “Ky është një lajm zhgënjyes për Bankën Qendrore Europiane, pasi ekonomia e Eurozonës vazhdon pranë stanjacionit”, deklaroi kreu i ekonomistëve të Markit Chris Williamson. Edhe indeksi që mat sektorin dominues të shërbimeve, rezultoi poshtë pritshmërive të tregut, duke rënë në 51.3 pikë.
Megjithatë, ky indeksi po qendron përmbi 50 pikë, që ndan rritjen nga kontraktimi. Sipas Williamson, rezultatet e këtij sondazhi sugjerojnë se Eurozona do të rritet me 0.1 deri në 0.2 për qind në këtë tremujor. Ndërkohë, indeksi që mat porositë e reja ra në 49.9, dhe për herë të parë që nga korriku i vitit 2013 zbret poshtë nivelit të 50 pikëve.
Analistët mendojnë se, ndërkohë që Banka Qendrore Europiane përballet me kërcënimin e deflacionin, firmat e shërbimeve vazhdojnë të ulin çmimet. Inflacioni në Eurozonë u rrit në vetëm 0.4 për qind gjatë Tetorit dhe gjendet shumë poshtë objektivit afatmesëm të Bankës Qendrore, pranë por poshtë 2 për qind dhe gjendet në atë që Draghi e quan “zonë e rrezikshme”.
Për të shpëtuar bllokun nga deflacioni, Banka Qendrore Europiane ka hedhur para’ në sistemin bankar, duke blerë disa kategori të caktuara të bonove dhe ka ofruar kredi afatgjata. Në këtë situatë, analistët mendojnë se shanset që banka të blejë borxhet sovrane të vendeve anëtare janë 50 me 50. /Telegrafi/