Rritja ekonomike në Eurozonë ishte më e shpejtë se parashikimet e analistëve në tremujorin e tretë të këtij viti, pasi Franca tejkaloi pritshmëritë dhe Gjermania e shmangu recesionin.
Në vlerësimin e parë të Zyrës Europiane të Statistikave, rezultoi se ekonomia e 18 vendeve që përdorin euron u zgjerua me 0.2 për qind në krahasimin tremujor gjatë periudhës Korrik-Shtator, pas rritjes me 0.1 për qind tremujorin paraardhës. Ndërsa në krahasimin vjetor, Eurozona u rrit me 0.8 për qind, kundrejt pritshmërive për rritje prej 0.7 për qind. Të dhënat e Eurostat treguan se Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, u rrit me 0.1 për qind, në linjë edhe me parashikimet e tregjeve, duke larguar çdo dyshim për recesion.
Ndërsa ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës u rrit me 0.3 për qind, kundrejt pritshmërive për rritje me 0.2 për qind. “Ekonomia e bllokut është ende në rritje, pavarësisht ritmit të dobët, pavarësisht edhe paralajmërimeve të FMN dhe institucioneve të tjera”, shprehet një analist. Një rritje e fortë e shpenzimeve konsumatore dhe një përmirësim i lehtë i tregtisë së jashtme kanë parandaluar një rezultat më të keq. Por, Italia nuk ishte kaq me fat. Ekonomia e tretë e Eurozonës ra me 0.1 për qind gjatë së njëjtës periudhë, duke regjistruar tremujorin e 13 me radhë pa rritje ekonomike.
Italia ka qënë ekonomia më e ngadaltë e Eurozonës për më shumë se një dekadë dhe është i vetmi vend i madh në bllok që gjendet në recesion. Për këtë arsye, Italia së bashku me Francën kanë rritur presionin ndaj Bashkimit Europian të fokusohet në masat për të nxitur rritjen dhe jo tek kursimet për të ulur borxhet. /Telegrafi/