Politikëbërësit globalë do të mblidhen në Uashington më vonë gjatë kësaj jave, në takimin e vjeshtës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Ata do të përpiqen të gjejnë mënyra për të mbështetur rritjen ekonomike, në një kohë që Rezerva Federale po mbyll programin e lehtësimit sasior. Duke pasur parasysh takimin e ministrave të financave dhe guvernatorëve të G20, dy javë më parë, analistët nuk e kanë shumë të vështirë të parashikojnë se si do të shkojë debate.
Shumica e botës perëndimore do ti bëjë thirrje Eurozonës të ndërmarrë masa shtesë për të mbështetur rritjen, ndërsa Gjermania do të shprehet kundër largimit nga masat e kursimit. Ky takim vjen në një kohë kur Franca me Italinë nuk kanë realizuar objektivat fiskale dhe kërkojnë më tepër kohë për realizimin e reformave, që bie në kundërshtim me dëshirat e Berlinit.
Në anën tjetër Rezerva Federale do ti japë fund programit të blerjes së bonove, më vonë gjatë këtij muaji, një perspektivë që ka mbështetur dollarin amerikan dhe ka krijuar ankth për shkak të frikës së largimit të kapitaleve nga vendet në zhvillim drejt Shteteve të Bashkuara. Që nga muaji maj, Euro ka humbur rreth 10% të vlerës në raport me dollarin amerikan. /Telegrafi/