Site icon Telegrafi

Eurozona i largohet rrezikut për një recesion të thellë ekonomik

Gjasat që Eurozona të bjerë në një recesion të thellë ekonomik këtë dimër po zvogëlohen.

Sipas ekonomistëve, mbështetjet e mëdha fiskale nga qeveritë, çmimet më të ulëta të gazit dhe vjeshta e butë kanë ndihmuar në përmirësimin e perspektivës ekonomike të bllokut.

Shumica e parashikimeve vazhdojnë të tregojnë se prodhimi në Eurozonë do të reduktohet në tremujorët e ardhshëm. Komisioni Evropian tha në fillim të këtij muaji se ai pret që ekonomia do të reduktohet me 0.5 për qind në tremujorin e katërt dhe me 0.1 për qind në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Ekonomistët parashikojnë një rritje ekonomike të bllokut 19-anëtarësh prej 3.2 për qind për të gjithë vitin 2022, krahasuar me parashikimin e mëparshëm të muajit korrik prej 2.7 për qind.

Ndërprerja e furnizimeve nëpërmjet tubacionit kryesor të gazit “Nord Stream I” nga Moska gjatë verës shtoi frikën se rajoni do ta kishte të vështirë të zëvendësonte burimet e energjisë ruse dhe kjo solli rritjen e çmimeve të gazit. Por, muaji tetor, i cili pati temperaturat më të buta të regjistruara ndonjëherë në këtë periudhë, ka bërë që familjet dhe fabrikat të përdorin më pak energji, duke mundësuar kështu që objektet e depozitimit të gazit të jenë pothuajse në kapacitet të plotë.

Holger Schmieding, kryeekonomist në Berenberg Bank, parashikoi një rënie prej 2.1 për qind për tre tremujorët deri në mes të vitit 2023, bazuar te çmimi i gazit prej 220 euro për MWh gjatë këtij dimri dhe te frika nga ndërprerjet e energjisë.

Nga ana tjetër, ekonomistët po bëhen gjithnjë e më pesimistë lidhur me perspektivën për dimrin e ardhshëm dhe tani besojnë se prodhimi i Eurozonës do të reduktohet me 0.1 për qind në vitin 2023 – një rënie e konsiderueshme nga rritja ekonomike prej 2.3 për qind që pritej në muajin mars, menjëherë pasi Rusia pushtoi Ukrainën. /Telegrafi/

Exit mobile version