Site icon Telegrafi

Eurozona i jep 8.5 miliardë euro Greqisë

Ministrat e Financave të Eurozonës kanë dhënë dritën jeshile në samitin e së enjtes në Bruksel për të zhbllokuar këstin e radhës prej 8.5 miliardë euro për Greqinë, pas vlerësimit pozitiv për programin e saj.

Por, Athina nuk ka marrë diçka konkrete për çështjen e lehtësimit të borxhit, përveçse premtimit se masat për lehtësimin e tij do të jetësohen në mbarim të programit të ndihmës në vitin 2018, me kusht suksesin e zbatimit të reformave.

Jeroen Dijsselbloem, President i Eurogroupit, tha: “Takimi ynë ka pasur në epiqendër Greqinë dhe ishte vendimtar për programin dhe unë ndjehem i kënaqur të njoftoj se ne kemi arritur një marrëveshje për të gjitha elementet dhe kushtëzimin e strategjisë së borxhit për të ecur përpara”.

Në bazë të marrëveshjes me kreditorët, Greqia do të duhet të ketë teprica primare të shkallës 3.5% deri në vitin 2022, ndërsa për vitet 2023-2060 kjo tepricë duhet të jetë nga 2% e lart. Shefja e FMN-së, Christine Lagarde ka sqaruar se FMN-ja do të marrë pjesë në programin grek vitin tjetër, kur reformat të kenë sjellë një rezultat akoma më të mirë dhe të sqarohen më shumë hollësitë për procedurën e lehtësimit të borxhit grek.

“Ka pasur edhe progres të qartë për pjesën e dytë, e cila është lehtësimi i borxheve. Por, FMN-ja konsideron se ka më shumë për të bërë dhe në mënyrë të qartë nevojitet më shumë kohë për partnerët që të konkludojnë për procesin ose të identifikojnë masat dhe kohën për shtrirjen e borxhit që duhet të ristrukturohet me qëllim që të jetë i qëndrueshëm në afat të gjatë”, tha Lagarde.

Gjithashtu, Eurogroupi ka njoftuar se ka zgjatur kohën e pagesës së borxheve të Greqisë ndaj Mekanizmit Financiar të Stabilitetit Europian nga 0 deri në 15 vjet. /Telegrafi/

Exit mobile version