Telegrafi

Eurozona ende s’ka gjetur zgjidhje për borxhin grek

Mbledhja e posaçme e ministrave të Financave të Eurozonës përfundoi mbrëmjen e së mërkurës në Bruksel, pa arritur konsensus mbi problemin e borxheve të Greqisë. Funksionari i BE-së tha se ministrat e financave të Eurozonës do të vazhdojnë konsultimet mbi këtë temë të enjten.

Ditët e fundit, për të gjetur një zgjidhje të problemit të borxheve të Greqisë, Eurozona thirri një sërë mbledhjesh të ministrave të financave.

Kryetari i Komisionit Europian Jean – Claude Juncker tha në një konferencë shtypi pas Samitit urgjent të liderëve të Eurozonës se beson me vendosmëri që qeveria greke do të arrijë marrëveshjen e ndihmave me kreditorët, që të shmanget situata e rrezikshme dhe e pasigurt.

Kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras vazhdon bisedat intensive me kreditorët ndërkombëtarë mbi kapërcimin e krizës së borxheve, ndërsa ka kritikuar huadhënësit për refuzimin e propozimeve të tij të fundit mbi reformën.

Greqia ndodhet në prag të afatit të fundit deri më 30 qershor që t’i shlyejë FMN-së një kredi prej 1.6 miliardë eurosh, përndryshe ajo do të shkelë marrëveshjen. /Telegrafi/