Site icon Telegrafi

Eurot e fushatës dhe turistët, euron konvertohet me 133 lekë

Monedha e përbashkët ka pësuar një tjetër zhvlerësim të fortë duke u këmbyer sot me 132.66 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Përkundrejt monedhës vendase euro është nënçmuar me 0.35 lekë nga dje.

Sipas ekspertëve të kursit kjo është një lëvizje normale dhe e pritur duke marrë parasysh trendin që ka ndjekur euro gjatë gjithë vitit. Ekspertët parashikojnë që euro do të zbresë poshtë 131.5 lekëve me shtimin e fluksit të turistëve.

Ata argumentojnë se fushata elektorale është një ndër faktorët që ka çuar në zhvlerësimin e monedhës së përbashkët në këto nivele. Përveç se shpenzimet e fushatës elektorale si asnjëherë më parë këtë vit po bëhen në valutë, ka bërë edhe që njerëzit të largohen nga punët dhe të fokusohen te ajo, duke sjellë që në treg të ketë tepricë valute dhe më pak lekë.

Në zhvlerësimin e euros kanë ndikuar edhe turistët, kryesisht të huajt nga Italia, Çekia dhe Polonia. Euro pritet të zhvlerësohet më tej me fluksin e turistëve që priten nga trevat shqipfolëse pas përfundimit të muajit të Ramazanit.

Dy javët e para të gushtit gjithashtu do të karakterizohen me dobësim të monedhës euro, pasi tradicionalisht në këtë periudhë euro zhvlerësohet nga prurjet në valutë të emigrantëve. /Revista Monitor/Telegrafi/

Exit mobile version