Telegrafi

“Europa Nostra”: Teatri Kombëtar i Shqipërisë, në listën e shtatë objekteve në rrezik

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka njoftuar përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”, marrjen e një letre mbështetëse për çështjen e Teatrit Kombëtar nga “Europa Nostra” – organizatë europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Kjo është mbështetja që mbërrin nga Haga me anë të një letre të nënshkruar nga Guy Clausse, zëvendëspresidenti ekzekutiv i ‘Europa Nostra’ dhe Paolo Vitti anëtar i këshillit të saj, në lidhje me përpjekjen që po bën Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit për ta mbrojtur atë si pasuri europiane të kulturës”, shkruan Aleanca.

Një delegacion nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i përbëre nga regjisorja Sesilia Plasari, arkitekti Kreshnik Merxhani dhe regjisori Robert Budina, morën pjesë në samitin e përvitshëm të “Europa Nostra” për Trashëgiminë Evropiane, me qëllimin për të sensibilizuar specialistët në lidhje me ruajtjen dhe restaurimin e Teatrit Kombëtar dhe futur atë në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara në Europë, për këtë vit.

Në letër ndër të tjera thuhet: “Teatri Kombëtar i Shqipërisë është një monument i rëndësishëm dhe unik i arkitekturës evropiane, i vendosur në një kontekst urbanistik me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e Tiranës dhe të Shqipërisë. Fshirja e Teatrit Kombëtar nga lista kombëtare e monumenteve të mbrojtura është një veprim që injoron me paramendim rëndësinë e pranuar dhe legjitimuar arkitekturore, historike dhe urbane të ndërtesës, çka dëshmohet nga kërkimet shkencore të kryera në nivelin akademik nga studiues nga Shqipëria dhe jashtë saj”.