Site icon Telegrafi

Eurointegrimi i Maqedonisë – mision i pamundur

Të paktë janë ata të cilëve sot u kujtohet momenti i ndërrimit të flamurit dhe emrit të shtetit prej Republika e Maqedonisë në IRJM (FYROM, BRJM)! Çdo gjë rrodhi vetëtimthi, sepse pushteti i atëhershëm maqedonas gëzonte një respekt popullor dhe ndërkombëtar si elitë kombëtare dhe me përvojë të madhe në jetën politike. Shqiptarët kishin të tjera “halle historike” (gjithsesi, fund e krye halle personale), nuk u interesonte fort funksionimi i shtetit dhe i kombit!

Pra, te populli maqedonas tashmë ekziston tradita e ndërrimit të emrit të shtetit dhe të simboleve kombëtare. Për më tepër, është bërë traditë edhe ndërrimi i identitetit kombëtar. Tashmë kemi një masë të konsiderueshme që ka hequr dorë nga identiteti sllavomaqedeonas duke kaluar në “maqedonas antik”, dhe me këtë duke i hapur shteg edhe një tradite të re: ndërrimin e historisë kombëtare!

Një popull me shumë tradita (a)politike dhe pa politikë kombëtare! Kështu do të definoheshin sot maqedonasit e FYROM-it!

A është politikë kombëtare ekspozimi i muskujve foshnjorë para Greqisë e cila ndonëse është në prag të kolapsit ekonomik, politikisht do të jetë gjithnjë e fortë në vendimmarrje, si në NATO ashtu edhe në BE! Edhe në Samitin e radhës të NATO-s që do të mbahet më 20 maj të këtij viti, Maqedonia do të mbetet jashtë kësaj strukture më të fuqishme për mbrojtje e siguri në botë. Arsyeja mbetet po ajo: nuk plotësohet kërkesa shumë e arsyeshme e Greqisë për ta ndërruar emrin e shtetit.

E kotë është të qenurit i përkorë në raport me NATO-n; të kota janë deklaratat e institucioneve ndërkombëtare se Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet për eurointegrime; të kota janë letrat e hapura, lutjet, ofrimet për bashkëpunime të ngushta e profesionale; e kotë është edhe gatishmëria kombëtare për t’u shndërruar në poligon ushtarak i NATO-s!

Një shtet i kësaj organizate ka një kërkesë tepër shumë racionale për sa i përket ndërrimit të emrit të shtetit dhe kjo kërkesë duhet të plotësohet se s’bën. Këtë e di edhe pushteti aktual maqedonas, i cili që nga viti 2006 me një vullnet të pashoq dhe me një përkushtim të vendosur nisi të thellojë hendekun politik në mes të Greqisë dhe Maqedonisë. Pushteti aktual këtë problem si dhe “rrezikun e brendshëm nga shqiptarët e zbritur prej maleve” e përdori si alibi për ta nisur strategjinë milosheviqiane në drejtim të ngjalljes dhe kultivimit të ndjenjës nacionaliste me të gjithë elementet e racizmit. Kur nacionalizmi arrin shkallën më të lartë të verbërimit, atëherë bëhen të padukshme manipulimet, vjedhjet, drejtimet kah ambisi fatal, degradimi, nëpërkëmbja, jeta prej robi…

Nacionalistit të verbuar nuk i intereson pozita shoqërore, jeta sociale, rroga mesatare! Nacionalisti i verbuar jeton, punon për udhëheqësit e popullit. Është tepër i lumtur kur shikon se si udhëheqësit e popullit bëhen ekonomikisht të pasur – financiarisht të fuqishëm!

Nuk është kohë e largët kur Milosheviqi e solli popullin e vet në rrogë prej shtatë markash gjermane! E populli serb ishte i lumtur me “Kosovën djep i Serbisë”! 99 për qind e serbëve ishin me udhëheqësin e tyre, Sllobodan Milosheviqin. Në fund, kur u vetëdijesuan, e burgosën!

Maqedonasit (këta “antikët”), sot për sot e falin udhëheqësin e tyre, Nikolla Gruevskin, sepse për asnjë çast nuk denjon të gjunjëzohet para Greqisë. Nuk ka çmim që do ta detyrojë të heq dorë prej emrit. Nuk do të heq sepse në fakt nuk është fare i interesuar që Maqedonia të inkuadrohet – as në NATO e as në BE. Para popullit të vet këtë pozicion kundërintegrues e kamuflon duke ua dhënë dikasteret kyçe shqiptarëve (“armiqve të përbetuar të popullit maqedonas”) – ministrinë e Mbrojtjes dhe ministrinë për Eurointegrime!

Ta supozojmë Maqedoninë si një minierë diamanti në mes të një fushe e që për momentin është bërë pronë e zullumqarëve, eksploatorëve hajdutë, të cilët pasurinë që e nxjerrin e bartin jashtë shtetit. Këta hajdutë për sa do të pajtoheshin që zgafellja e tyre të rrethohej me ndonjë mur gjigant mbi të cilën do të ruanin mijëra rojtarë të armatosur dhe nuk do të lejonin që thesari nga nëntoka të vidhej e të nxirrej jashtë. Në një rast të tillë “eksploatorët” më parë do të vinin tonelata eksplozivi për ta shkatërruar përgjithmonë atë minierë, se sa ta lënë nën një rrethim të sigurimit absolut.

Pushteti aktual nuk e do eurointegrimin e Maqedonisë. Për këtë pozicion fatal tashmë ka siguruar edhe përkrahjen e “maqedonasve antikë”, nacionalistëve të cilët në çdo moment janë të gatshëm të ngrenë “dhoma gazi” për shqiptarët; një “Srebrenicë 2” për shqiptarët; të ndërtojnë një “Maqedoni të pastër me maqedonas antik”!

Askush, asnjë intelektual maqedonas, asnjë person me ndikim nuk guxon të reagojë kundër këtyre idiotësirave. Jo se mund të vritet, të zhduket apo ta hajë gogoli, por nëse reagon do t’i kishte humbur të gjitha “beneficionet” e pushtetit që i gëzon për momentin. Nuk do të arrinte të botonte libra, nuk do të arrinte të sigurojë “pension artistik”, të fitojë projekte të ndryshme, të udhëtojë nëpër botë, të bëjë ndonjë shfaqje apo ndonjë film, ndonjë koncert a ekspozitë.

Mediat në Maqedoni janë më të robëruarat në Evropë e më gjerë. Pushteti aktual të gjithë i ka në shërbim të vetin. Ata që marrin guxim dhe reagojnë, menjëherë shantazhohen dhe, për me keq, shpallen “armiq të popullit”!

Armiq të popullit maqedonas të Gruevskit nuk janë grekët, as bullgarët e as serbët, por është populli sllavomaqedonas i Crvenkovskit. Gruevski arriti që maqedonasit t’i shndërrojë në popull me dy identitet. “Maqedonasit antik” të Gruevskit gjithnjë e më zëshëm po kërkojnë nga bota që mos t’ju bëjnë presion për ndërrimin e emrit të shtetit, por menjëherë të nisin të heqin dorë nga njohuritë e tyre mbi antikitetin e lashtë grek, sepse e gjitha qenka false dhe e vjedhur nga “maqedonasit antikë” të Gruevskit.

Natyrisht, bota nuk do ta korrigjojë historinë antike për shkak të tekave të një shuke injorantësh, por do të nisë të bëhet aleat me ata maqedonas (të Crvenkovskit) të cilët për momentin po ndjehen të fyer e të ofenduar nga cirkusiada e Gruevskit dhe tajfës së tij prej arkeologësh, historianësh e akademikësh oborrtarë.

Këtë përkrahje po e ndjejnë maqedonasit e Crvenkovskit, ndaj gjithnjë e më fort po deklarohen se një ditë kanë për t’i fshirë të gjithë emrat grekë nga aeroporti, autostrada, do t’i rrënojnë skulpturat dhe përmendoret e heronjve grekë nga sheshet e qyteteve të ndryshme në Maqedoni.

Nëse kalimi i sllavomaqedonasve në “maqedonas antik” do të jetë përmes një presioni të vogël, atëherë kthimi në identitet do të bëhet absolutisht përmes një presioni tepër të fuqishëm. Ky riciklim identitetesh mund të prodhojë edhe ndonjë konflikt të tmerrshëm.

Atëherë rruga që shpie në NATO e në BE do të jetë një rrugë me miliona pengesa. Thjesht, një rrugë e pa udhëtueshme. Eurointegrimet kthehen në mision të pamundur. Natyrisht, vetëm për maqedonasit!
Ndërsa, shqiptarët mbase do të gjejnë ndonjë rrugë alternative!
 

Exit mobile version