Site icon Telegrafi

Eurodeputeti ‘udhëheq’ thirrjet që Josep Borrell i BE-së të jep dorëheqje, pas ‘poshtërimit’ nga Moska

Një ish-shef i ushtrisë thotë se ai dhe 50 eurodeputetë të tjerë kanë vënë nënshkrimet e tyre në një letër përmes së cilës bëjnë thirrje që Josep Borrell i BE-së të jep dorëheqje.

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, Riho Terras, një eurodeputet estonez nga Partia Popullore Evropiane, është i mërzitur për udhëtimin e Borrell në Moskë javën e kaluar.

Borrell, shefi i punëve të jashtme të BE-së, ishte në kryeqytetin rus disa ditë pas burgimit të kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.

Dhe ndërsa Borrell po takohej me homologun e tij rus Sergey Lavrov, Moska dëboi tre diplomatë evropianë për pjesëmarrje në tubimet pro Navalny.

“Vizita në vetvete ishte një katastrofë totale”, ka thënë Terras në një intervistë për Euronews.

Pas konferencës për shtyp të së Premtes midis Borrell dhe Lavrov, Terras hartoi një letër mjaft kritike drejtuar Ursula von der Leyen, presidentes së Komisionit Evropian, duke i kërkuar asaj të “merrte masa nëse z. Borrell nuk jep dorëheqjen”.

Sipas Terras, letra deri më tani është nënshkruar nga mbi 50 kolegë eurodeputetë që u përkasin partive të ndryshme.

Siç shkruan më tej Euronews, teksti argumenton se Borrell “vazhdimisht dështoi të mbrojë interesin e Bashkimit Evropian” dhe bëri deklarata të rreme në lidhje me sanksionet e BE-së.

Terras gjithashtu akuzon Borrell për mos përfundimin e udhëtimit në momentin kur Rusia dëboi tre diplomatë të BE – nga Gjermania, Polonia dhe Suedia.

“Rusia tregoi gjithçka të mundshme për të poshtëruar diplomatin më të lartë të BE”, ka thënë ndër tjerash Terras për Euronews. /Telegrafi/

Exit mobile version