Deputeti slloven i Parlamentit Evropian, Klemen Groshelj, i ka kërkuar Këshillit Evropian t’ia paraqes dokumentin jo zyrtar, “non paper”, të kryeministrit slloven Janez Jansha, përmes të cilit pretendohet ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor.
Letra e Groshelj, drejtuar Këshillit Evropian, organit suprem të Bashkimit Evropian, u provokua pasi ai institucion pranoi se kishin marrë dokumentin, por që është nën mbrojtje të detyrueshme dhe ka shenjën e dokumentit sekret.
Në kërkesën e tij drejtuar Këshillit Evropian, Groshelj deklaroi se ky “non paper” provokoi reagime të shumta jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Evropë dhe botë, transmeton Telegrafi.
Siç shkruan portal “Slobodna Bosna”, ai dokument favorizon ndryshimin e kufijve në rajonin tonë dhe krijimin e tri shteteve nacionale – Serbia e Madhe, Shqipëria e Madhe dhe Kroacia e Madhe.
Portali Politički.ba ishte i pari që publikoi informacionin mbi ekzistimin e ‘non paper’, më 12 prill të këtij viti.
Atëherë, ky portal shkruante se Jansha po propozonte copëtimin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore.
Gjithçka do të bëhej me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe ndihmën e NATO-s.
Siç shkruan portal boshnjak, “non paper” u zbulua pas fjalimit të presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë drekës në Presidencën e Bosnjë dhe Hercegovinës, kur ai pyeti tri anëtarë të kreut kolektiv të shtetit nëse ishte e mundur një “ndarje paqësore”.
Por, Jansha kategorikisht i ka demantuar këto pretendime [se ai ishte autor i ‘non paper’].
Mirëpo, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi për media pretendimet nga teksti i portalit Politički.ba dhe tha se kishte biseduar për këtë me kryeministrin slloven, Janez Jansha, transmeton Telegrafi.
Më pas portali ‘Necenzurirano’ më pas publikoi përmbajtjen e plotë të dokumentit ‘non paper’.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Gjermania, Franca … madje edhe Rusia kanë hedhur poshtë pretendimet e ‘non paper’.
Në letrën drejtuar Këshillit Evropian, Groshelj nën mbishkrimin “me prioritet” ai shkroi se do të respektonte normat ligjore në lidhje me dokumentin, por që ai i duhej, sepse përmbajtja e tij mund të kishte “implikime të gjera për stabilitetin politik të Ballkanit Perëndimor dhe rrjedhimisht pasoja të ndjeshme në politikën e Bashkimit Evropian ndaj gjithë rajonit”.
“Si përfaqësues i zgjedhur i Parlamentit Evropian dhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, i cili është i përfshirë thellë në punët e Ballkanit Perëndimor në baza ditore, unë besoj se qasja ime në informaciont që përmban ky ‘non paper’ do të ishte me interes të jashtëzakonshëm gjatë punës sime.
Prandaj, do të pyesja Këshillin nëse mund të më lejohet qasje në këtë ‘non paper’ lidhur me kufijtë në Ballkanin Perëndimor, duke iu nënshtruar rregullave të rrepta të konfidencialitetit dhe duke respektuar plotësisht për të gjitha detyrimet përkatëse ligjore”, tha Groshelj.
Ndryshe, Groshelj u zgjodh në Parlamentin Evropian nga Lista së Marijan Sharec (LMSH), që është partia e ish-kryeministrit të Sllovenisë, tani në opozitë.
Në Parlamentin Evropian, LMSH është anëtar i grupit të tretë më të fortë parlamentar – liberalët. /Telegrafi/