Telegrafi

Eurodeputeti kroat letër KE-së për ndotjen në Adriatik, akuzon Shqipërinë për mbetjet plastike

Deputeti kroat i Parlamentit Evropian, Karlo Ressler, i ka dërguar një letër Komisionit Evropian për mbetjet plastike në detin Adriatik që sipas tij vijnë nga Shqipëria.

Më shumë se 90% e mbetjeve plastike dhe llojeve të tjera të mbetjeve vijnë në bregdetin e Kroacisë nga jugu, veçanërisht nga Shqipëria, ka thënë eurodeputeti, raporton agjencia kroate e lajmeve Hina.

Mbi 229,000 ton plastikë përfundojnë në Mesdhe çdo vit.

Rrymat detare dhe ujërat e cekët e bëjnë Kroacinë të rrezikuar nga grumbullimi i mbetjeve plastike në bregdetin e saj.

Më shumë se një dekadë më parë, qeveria shqiptare njoftoi një hetim për ndotjen plastike që vinte nga Shqipëria në Kroaci, megjithatë nuk ka pasur rezultate, ka shtuar Ressler.

Në cilësinë e tij si anëtar i delegacionit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Ressler i kërkon KE-së të gjej mënyra për të ndërhyrë nëpërmjet programeve evropiane të mbrojtjes së mjedisit dhe negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë për të adresuar këtë çështje. /Telegrafi/