Site icon Telegrafi

Eurodeputeti austriak: Nuk jam dakord me tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova

Politikani dhe eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka dalë kundër tërheqjes së forcave ushtarake nga Kosova, përcjell Telegrafi.

Reagimi i tij vjen pasi senatori amerikan David Perdue, ka thënë se SHBA duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë, nëse qeveria nuk e heq taksën ndaj Serbisë.

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me progresin e bërë historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha detyrat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, kishte shkruar Perdue në Twitter.

Ky reagim ishte mbështetur edhe nga djali i presidentit amerikan, Donald Trump Junior.

“Pajtohem. Janë rreth 650 trupa amerikane në Kosovë. Ka ardhur koha t’i kthejmë ata në shtëpi”, ka shkruar Donald Trump Jr.

E sipas Lukas Mandl, një politikani austriak i Partisë Popullore Austriake i cili ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian që nga nëntori i vitit 2017 dhe u rizgjodh në vitin 2019, kjo nuk është gjëja e duhur.

“Unë e vlerësoj atë që ka bërë SHBA për Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor. Unë nuk jam dakord me tërheqjen e trupave tani. Kosova është një vend paqësor sot. Por trupat janë të rëndësishme për shumë arsye. Austria është e pranishme me një numër gjithashtu! Unë nuk do të pajtohesha me një tërheqje të trupave tanë”, ka shkruar Mandl në Twitter. /Telegrafi/

Exit mobile version