Site icon Telegrafi

Eurodeputetët McAllister dhe Fleckenstein vizitojnë Tiranën

Zëvendëspresidenti i Partive Popullore Evropiane (PPE) dhe kryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian (PE), David McAllister dhe europarlamentari për Shqipërinë, Knut Fleckenstein vizitojnë të martën Tiranën në përpjekje për uljen e palëve në dialog dhe arritjen e një kompromisi për krizën politike në vend.

Dy eurodeputetët do të kenë një takim të përbashkët me drejtuesit e koalicionit qeverisës, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, dhe më pas me kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha.

Kjo e fundit, prej më shumë se dy muajsh po vijon protestën, pa u tërhequr nga kërkesa për qeveri teknike, si garancia e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Koalicioni i majtë qeverisës, 10 ditë më parë iu drejtua zyrtarisht së djathtës evropiane duke i kërkuar të ndërhyjë për vendosjen e komunikimit me opozitën shqiptare. Ardhja në Tiranë e dy eurodeputetëve, përkoi me përshkallëzimin e protestës së opozitës, e cila të hënën doli nga çadra në bulevard dhe protestoi, duke bllokuar disa nga akset kryesore të qarkullimit në vend. /KP/

Exit mobile version