Site icon Telegrafi

Eurobasket: Spanja eliminon Finlandën e Edon Maxhunit, Gjermania më e mirë se Greqia

Janë mbyllur dy çerekfinalet e para në Eurobasket 2022, ku Spanja ka eliminuar Finlandën, ndërsa Gjermania vendase ishte më e mirë se Greqia.

Spanja ishte e para që e siguroi gjysmëfinalen, pasi e mposhti në Berlin skuadrën finlandeze me rezultat 100:90.

Finlandezët e hapën ndeshjen mrekullisht, shënuan nga të gjitha pozicionet dhe në çerekun e parë kishin epërsi prej dhjetë pikësh. Kur shkuan në +15 në pjesën e dytë, dukej se asgjë nuk mund t’i ndalte në rrugën e tyre drejt gjysmëfinales.

Megjithatë, Spanja e zvogëloi rezultatin në 52:43 deri në fundin e pjesës së parë dhe në pjesën e dytë bëri një kthesë të madhe dhe kaloi në epërsi 73:67 në hyrje të çerekut të fundit.

Edhe pse Finlanda në një moment u afrua me dy pikë, nuk patën forcë për një kthesë të plotë dhe ‘La Furija’ festoi me meritë në fund.

Edon Maxhuni te Finlanda nuk kishte paraqitje të mirë, pasi ndihmoi me vetëm dy pikë.

Gjermania në anën tjetër u kualifikuan në gjysmëfinale pasi mposhtën Greqinë në një ndeshje spektakolare në Berlin me rezultat 107:96.

Ishte një ndeshje e paharrueshme që ofroi basketboll atomik, sidomos në pjesën e parë ku u shënuan gati 120 pikë.

Gjermanët e hapën ndeshjen shkëlqyeshëm, shënuan nga të gjitha pozicionet dhe çerekun e parë e fituan me epërsinë prej 11 pikësh. Megjithatë, grekët, me Giannis Antetokounmpo, arritën të rikthehen shpejt, duke barazuar.

Deri në fund të pjesës së parë, ata madje arritën ta rikthehen, duke e mbyllur pjesën e parë me epërsinë 61:57.

Në çerekun e tretë, vendasit u kthyen në lojë dhe shkuan në epërsi prej plot 12 pikë epërsi (83:71).

Në çerekun e fundit, Greqia nuk kishte fuqi të kërcënonte seriozisht gjermanët, sidomos pas largimit të Antetokounmpos me dy gabime të qëllimshme.

Në gjysmëfinale Gjermania do të luajë kundër Spanjës./Telegrafi/

Exit mobile version