Telegrafi

Euro “prek fundin” në raport me lekun, monedha evropiane nivel historik që nga viti 2001

Euro e ka mbyllur këtë javë në kursin e këmbimit me lekun, në nivelin më të ulët që nga viti 2001, kur është hedhur në qarkullim. Monedha europiane ka kushtuar 100.08 lekë, duke humbur vazhdimisht pikë që nga fillimi i javës.

Për periudhën janar-gusht, Euro është këmbyer mesatarisht me 101.7 lekë, nga 111 lekë që ishte mesatarja për të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie 8.3%.Ndërsa në raport me janar- gusht 2022, kur këmbehej mesatarisht me 120 lekë, monedha e përbashkët vlen gati 20 lekë më pak, me rënie 15%.

Ky zhvlerësim i fortë në tregun vendas lidhet me ofertën e lartë për valutë, që ka ardhur si nga turizmi, ashtu dhe nga burimet informale, që janë gjithmonë të pranishme, sidomos në sektorin e ndërtimit.

Rënia e euros ka goditur ndjeshëm eksportuesit, të cilët kanë parë rënie të të ardhurave, madje shumë sipërmarrje në industrinë fason kanë deklaruar që janë në prag falimentimi.

Një tjetër sektor i goditur është turizmi, me hotelet që u detyruan të rrisin çmimet për të amortizuar rënien e Euros, çka nga ana tjetër çoi në tkurrje të kërkesës dhe prenotimeve.

Të fituarit më të mëdhenj janë importuesit, që po blejnë më lirë dhe qeveria që i ulet kosto e borxhit të jashtëm. Individët që kanë kredi në euro janë gjithashtu të lehtësuar./Euronews Albania