Telegrafi

Euro pëson ulje, leku fiton terren

Ekspertët thonë se zbutja monedhës unike vjen si pasojë e lëvizjeve nga sektori i turizmit. Megjithatë, kjo është njëra anë, pasi euro po dobësohet edhe ndaj monedhave të tjera. Shkak për këtë është bërë kriza në Greqi, borxhet e së cilës kanë krijuar pasiguri për vendet e tjera të Eurozonës.

Një zbutje e monedhës europiane padyshim që reflekton pozitivisht në disa sektorë të ekonomisë, duke filluar me importet, ku mallrat e blera nga jashtë vijnë me çmime më të lira. Sikurse është konfirmuar nga BSH-ja, një pjesë e nivelit aktual të inflacionit, prej 4.2 përqindësh i dedikohet presioneve që vijnë nga jashtë, si bursa dhe kursi i këmbimit.

Ulja e euros i jep mundësi konsumatorit të shkëmbejë mallra dhe shërbime në tregun vendas me çmime më të lira. Këtu kemi parasysh sektorin e ndërtimit, i cili i ofron hapësirat me euro, pajisjet elektronike dhe deri te paketat turistike.

Tjetër ndikim jo pak i rëndësishëm, pozitiv është edhe ai i kësteve të kredisë, që shlyhen në monedhën europiane, raportoi TCH./Telegrafi/