Site icon Telegrafi

Euro barazim me dollarin?

Tregjet që u hapen këto ditë të para të 2017-es treguan për një rritje te euros. Megjithatë jo çdo herë, dita duket që në mëngjes.

Sepse, përgjithësisht, çdo fillim viti, ka tendencë për të ulur ose për të ngritur euron përtej asaj që meriton. Megjithatë, ka një ndjesi se ky vit për monedhën europiane do të jetë një vit historik dhe të gjithë janë me sytë hapur për të parë se çfarë do të ndodhë. Çmimi i madh i vitit është nëse euro barazohet me dollarin.

Shkaqet e jashtëm duket se do të jenë më të fortë, sepse janë shumë politikë, por edhe mjaft historik për të ardhmen e Shteteve te Bashkuara dhe Europës.

Për të shuar kuriozitetin e tregjeve dy ngjarjet me të shpejta që do të përcaktojnë kursin euro- dollar do të jenë politika monetare qe do të ndjeke Banka Qendrore europiane dhe, nga përtej Atlantikut, sesi do të jenë treguesit e punësimit dhe rritjes ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

Por ato që do të jenë më përcaktuese janë ngjarjet politike. Për analistët fjalimi që do të mbaje Donald Trump në 20 janar, kur të bëjë betimin si presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, do të jetë një ngjarje që nuk kalon pa shenja, pasi më herët, ai ka folur për rishikim të marrëveshjeve që do lëvizin tregjet dhe aleancat ekonomike.

Për Europen ky është vit elektoral që do të mbërthejnë tregjet që në mesin e marsit, kur të zhvillohen zgjedhjet në Gjermani dhe të vendoset për fatin e Angela Merkel. Ndërkohë, e hapur është edhe çështja Brexit, megjithëse Teresa May është munduar ta shtyje kohën e rishikimit të marrëveshjeve me Bashkimin Europian. Por kjo nuk e dëmton euron. /Telegrafi/

Exit mobile version