Site icon Telegrafi

EULEX do të bëjë atë që nevojitet për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës

Zëdhënësja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Ioanna Loachana ka folur lidhur me situatën e tensionuar mes Serbisë dhe Kosovës.

Lochana bëri të ditur se EULEX-i vazhdon të jetë vigjilent dhe janë duke monitoruar nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës dhe në sigurinë e të gjithë njerëzve aty.

Ajo ka thënë se situata e sigurisë në veri është e qetë, por e tensionuar.

“Njësia jonë policore e specializuar, e cila përbëhet nga 1058 policë kryen kalkulimet e përditshme në veri të Kosovës që ta kemi një pasqyrë të qartë të situatës. Si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, ne gjithashtu kemi koordinim të ngushtë me policinë e Kosovës dhe me KFOR-in”, ka thënë ajo për Abcnews.al.

Lochana bëri me dije se nëse kërkohet nga policia e Kosovës, EULEX është i gatshëm të veprojë si reagues i dytë i sigurisë për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe mbrojtjen e të gjithëve nga çdolloj kërcënim, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, moshën apo gjininë.

“Forca jonë e reagimit ët shpejtë është në gatishmëri 24 orë në ditë në Mitrovicë dhe ka një kohë reagimi prej 15 minutash. Nëse është e nevojshme gjithashtu misioni mund të zbarkojë një njësi policore të specializuar rezerve për t’i shtuar forcat e saj në terren dhe kapacitetin e saj operacional. Ne do bëjmë atë që është e nevojshme për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës dhe për të kontribuuar në sigurinë e popullatës së saj”, tha zëdhënësja e EULEX-it.

Sipas saj, EULEX, KFOR-i dhe Policia e Kosovës kryejnë stërvitje të rregullta të përbashkëta.

Exit mobile version