Site icon Telegrafi

EULEX riprogramon përkohësisht procedurat gjyqësore në Kosovë

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë i ka riprogramuar të gjitha procedurat gjyqësore deri në përfundimin e të gjitha procedurave që ndërlidhen me vazhdimin e mandatit të këtij misioni.

Një zëdhënëse e misionit të EULEX-it, Dragana Nikoliq – Solomon, i tha Radios Evropa e Lirë se ky vendim është një masë parandaluese.

“Mandati i misionit është zgjatur nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 14 qershor. Megjithëkëtë bisedimet ndërmjet BE-së dhe Qeverisë së Kosovës po vazhdojnë ende. Për këtë, si masë parandaluese me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të të gjitha palëve, të gjitha procedurat janë riprogramuar me qëllim që të drejtat e njeriut të të gjithëve që janë të përfshirë të mos shkelen”, tha Nikoliq Solomon.

Mandati i misionit të BE-së për sundimin e ligjit ka skaduar më 14 qershor pas dy vjetësh, dhe autoritetet në Prishtinë në biseda me BE-në kanë arritur një marrëveshje për zgjatjen e tij prej dy vitesh, deri më 2018.

Qeveria e Kosovës i ka dhënë mbështetje misionit, por mbetet që Kuvendi i Kosovës ta miratojë vendimin për zgjatjen e mandatit. Vlerësohet se çështja e kompetencave të misionit në fushën e luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar ka bllokuar për disa ditë zgjatjen e mandatit.

Misioni i EULEX-it është më i madhi mision në historinë e BE-së dhe ai u shtri në territorin e Kosovës me ftesë të institucioneve të vendit pak ditë para shpalljes së pavarësisë më 2008.

Ai ka patur kompetenca ekzekutive në fushën e krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe njëkohësisht i ka ndihmuar institucionet e drejtësisë në vend të ngrisin kapacitetet./rel/

Exit mobile version