Telegrafi

EULEX-i për të dytën herë i orfron ekzaminim mjekësor ish-policit serb të arrestuar, Dejan Pantiq

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka bërë të ditur se mbrëmë i është ofruar ekzaminimi mjekësor, ish-zyrtarit policor Dejan Pantiq.

Wigemark në një postim në Twitter, ka shkruar se ekipi mjekësor i EULEX-it ka ekzaminuar Pantiqin me kërkesë të autoriteteve të Kosovës.

“Me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës, një ekip mjekësor i EULEX-it dje në mbrëmje ka ekzaminuar z. D.P. i cili është i ndaluar nga Policia e Kosovës. Ky është ekzaminimi i dytë mjekësor i z.D.P nga ekipi mjekësor i EULEX-it. I pari ka ndodhur javë më parë”, ka shkruar shefi i EULEX-it.

Kujtojmë se Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e tij.

Që nga ajo kohë, rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, mbeten të bllokuara. /Telegrafi/