Site icon Telegrafi

EULEX: Emri nёn tё cilin çnderohet Kosova

Ngjarja e 26 prillit, dhunimi i ceremonisë mortore tё veprimtarit Ali Aliu, arrestimi dhe dhunimi i Aktivistёve tё Vetёvendosjes, mes tyre dhe luftёtari i tre luftёra Salih Zyba ёshtё shenja qё EULEX jo vetёm s’do mundet kurrё qё tё ndihmojё pёr forcimin e shtetit ligjor nё Kosovё, por nё tё kundёrt, do tё na vendosё pёrballё njёri – tjetrit pёr t’u vrarё. Me ç’duket leksionet e Yves de Kermabon janё ato tё njё Evrope nga e cila tanimё i vjen turp çdo evropiani tё kthjellёt.

Qeveria e Kosovёs dhe çdo qeveri qё do tё krijohet nёn kushtet e tashme ёshtё dhe do tё jetё e kundёrta e dinjitetit tё popullit tё saj.

Ditët me ç’duket do të qasen gjithnjë e më të rrepta për atë që mund ta quajmë popull përderisa:

– Do të drejtojnë njerëz të ardhur nga Evropa dhe që nuk e njohin aspak historinë e të drejtës. Yves De Kermabon sigurisht që si ushtarak që është, po të kishte ekzistuar në kohën e revolucionit francez, do të kish prerë jo kokën e mbretit, por të gjithë atyre që morrën pjesë në atë akt. Me siguri që ai ka idenë se populli i kosovës është një turmë bishash fatalisht fajtore dhe të destinuara të ndëshkohen. Mund t’i qëllojmë sa herë të duam, madje dhe në ritualet e tyre më të shenjta. Edhe në varrimet e të afërmve të tyre “këto kafshë”, për Yves de Kermabon dhe të ngjashmit e tij, nuk janë më të denja se në jetët e tyre. Eulexi dhe Yves de Kermabon paskan për mision të krijojnë jo vetëm një grup individësh pa veti siç u mendua në fillim, por të prodhojnë një lloj shtazor (kosovar) ku të jetosh dhe të vdesësh nuk kanë asnjë diferencë. Duket që kjo sjellje nuk ka të bëjë me asnjë nga paradigmat humaniste që është përpjekur të fabrikojë Evropa pas hapave të saj më të vrullshëm, më të përgjakshëm dhe më unifikues. Yves de Kermabon sigurisht që nuk e ka kuptuar se përpara se çifutët t’i hidhnim në dhomat e gazit apo në furra u desh t’i zhvishnim nga cilësitë e njerëzores. Ndryshe ai nuk mund të shkonte aq larg sa të mendonte se shqiptarët e Kosovës janë qenie – ose diçka tjetër – që nuk provokon asnjë diferencë mes jetës dhe vdekjes.

Hapi i parë për llojin ushtarak të evropianit është: të quash kriminel atë që vritet, ta kthesh nga viktimë në të akuzuar për vrasje. Lloji ushtarak i evropianit kupton se është e lehtë të ndërtosh një qenie ku faji dhe akuza mund të pajtohen. Mund të shumëfishosh sa të duash trupat gjykues, por mund të njehsosh po aq lehtë atë që pëson me atë që mbart fajin. Pavarësia nuk i takon më kësaj qenieje ku identifikohet faji i pësuar më fajin e kryer (trupi i shqiptarit të Kosovës). Pavarësia i takon trupit gjykues dhe aparatit policor që vihet në shërbim të një ushtaraku që nuk ka kuptuar asgjë nga historia e vendit të vet. Me këtë tip ushtaraku, Evropa ka shpallur një vend (Kosovën) ku EULEX-i ka fituar pavarësinë. Ligji evropian qenka i zbatueshëm vetëm mbi qenie që nuk gëzojnë më atributet e qenies.

Hapi i dytë për llojin e ushtarakut që na ofron Evropa: Yves de Kermabon di të mendojë deri në atë farë mase sa të besojë se qenia e trupit të shqiptarit të Kosovës mund të akuzohet dhe për vetëvrasje. Pra, mund të shpikësh një “kafshë” që pasi e ke kthyer në të pavetishme, bëhet e ndëshkueshme kur nuk duron mungesën e dinjitetit.

Hapi i tretë: sado që dëshmitë në imazhe na vinë pёrmes suporteve të botës së njerëzve të civilizuar, kuptohet kamera të tipit evropian dhe amerikan – Yves de Kermabon mund dhe të mos i marrë parasysh, ndryshe nuk kishte si hapte një proces tek sheh aq të qetë ushtarët e tij, a thua se janë në sezon gjuetie, të vendosin pushkët në shpatullat e tyre, tamam si të ishin çifte, për të gjuajtur “kafshë” që duan të përshkojnë rrugën e tyre të përjetshme, rrugën e Kosovës.

Hapi i katërt për ushtarakun evropian është të sigurojë veten, kundër çdo evidence se këto “kafshë” nuk dinë të flasin. Ato mund të dinë të shkruajnë, por kjo nuk i bën më të vlefshme se “kafshë” të paligjshme në pyllin e tyre. Ata mund të firmosin atë që vetë deklarojnë, por kjo nuk e ndryshon, në vështrimin e Yves de Kermabon, lindjen e tyre jashtë fushës së të drejtave. Yves de Kermabon do të kishte probleme me çdo kartë të drejtash të njeriut, por sidomos me ato të shkruara në vendin e tij.

Për të përmbushur figurën e “Homo Saçer”, Yves de Kermabon do të kishte nevojë vetëm për ngjarjen e 26 Prillit. Hapat e mëparshëm ishin sinjali i mundësisë së kësaj ngjarjeje. Të ripodhojmë pra qenie që mund t’i masakrojë dhe përgjatë ritualeve të tyre. Këto qenie pra, në sytë e evropianit të tipit ushtarak, vlejnë njësoj si në vdekje dhe në gjallje. Një qenie që nuk sjell asnjë ndryshim dinjiteti në vdekje dhe në gjallje, është e tepërt.

Ju mund ta kuptoni hapin e fundit të këtij ushtaraku. Hapi i tij i fundit do të jetë një veprim më i guximshëm se çdo veprim i Serbisё. Le ta përmbledhim: mundimi i serbëve që të fshehin varret masive do të mund të zëvendësohet, prej Yves de Kermabon-it, nga kufoma të ekspozuara mbi varre. Ky është siç duket synimi i këtij ushtaraku evropian. Europa nuk pati nevojë të na dërgojë ndonjë filozof apo historian të luftës së saj të brendshme për të zgjeruar fushën e së drejtës. E pa më të arsyeshme të na dërgojë një arrogant pa limit, një ushtarak pa histori, mercenarin siç quhet përgjithësisht. Ky mercenar ignore irremédiablement toute conjonction entre histoire et peuple qui rend si rêveuse la grande pleyade francaise. Ndryshe duhet të mendojmë që si dhe Hëna, Evropa apo dhe Franca e ka një faqe të fshehur përgjithnjë.

I adresohemi jo më këtij tipi ushtarak të evropianit, por çdo tipi evropian tout court, të kuptojë se skena që po realizohet në Kosovë është:

1. ajo e garantimit të përhershëm të ekzistencës së “homo saçerit”;

2. përsa i përket qeverisë shqiptare që po fabrikon pezulltia e Kosovës, ajo nuk është veçse rimarrja në botën reale dhe njerëzore e asaj që Orwelli guxoi ta përshkruajë vetëm për fermën e kafshëve.

Exit mobile version