Site icon Telegrafi

EULEX-i e nis ligjërisht mandatin e ri, do të merret me 100 raste (Video)

Nga e mërkura, EULEX ka mandat për të vazhduar punën që e pati ndërprerë nga data 14 qershor, kur edhe i pati përfunduar mandati të cilin e kishte fituar në vitin 2014.

Presidenti Hashim Thaçi, të mërkurën i ka dekretuar të dy ligjet që kanë të bëjnë më mandatin e EULEX-it, tetë ditë pasi Kuvendi miratoj Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë dhe Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të BE-së që i mundësoi EULEX-it qëndrimin në Kosovë deri më qershorin e vitit 2018.

Po dje këto dy ligje janë bërë publike në Gazetën Zyrtare.

EULEX do të vazhdojë të merret me raste që i ka pasur në punë, e që sipas të dhënave që posedon Tribuna Channel janë mbi 100 raste.

Raste të reja do të mund të marrë vetëm “në raste të jashtëzakonshme”, siç janë marrë vesh palët.

“Në rrethana të jashtëzakonshme, me kërkesë të arsyetuar të Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial mund të vendosë që çështja penale t’i caktohet një prokurori të EULEX-it, në pajtim me autoritetin kompetent të EULEX-it”, thuhet në marrëveshje.

Mos hetimi në mënyrë të pavarur i rasteve të reja ka bërë që të plotësohen e ndryshohen edhe këto ligje: Ligji për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës; Ligji mbi Kompetencat, Përzgjedhjen e Lëndëve dhe Caktimin e Lëndëve të Gjyqtarëve dhe Prokuroreve të EULEX në Kosovë të dhe Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Exit mobile version