Site icon Telegrafi

EULEX-i, “e keqja e domosdoshme”!

Misioni i Bashkimit Evropian për Rend dhe Ligj (EULEX) në Kosovë qëndron në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2014, i cili mandat sot është i skaduar.

Dren Ajeti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një prononcim për Telegrafin tha se ky mision është mision i dërguar nga Bashkimi Evropian si mbështetje për sistemin kosovar të drejtësisë.

Sipas tij, vazhdimi i sërishëm i këtij misioni ka nevojë për ratifikim të një marrëveshje të re ndërkombëtare.

“Bëhet fjalë për marrëdhënie mes një organizate ndërkombëtare (EULEX) dhe një shteti të pavarur (Kosova). Prandaj fillimisht kërkohet një marrëveshje kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës për vazhdimin e mandatit dhe tek pastaj mund të ratifikohet në Kuvend në formë të një ligji. Zgjatja e mandatit të EULEX-it njëanshmërisht nga Kosova, nuk e obligon BE-në dhe misionin e saj për të qëndruar në Kosovë”, tha ai.

Ajeti tha se mandati i këtij misioni duhet të rishikohet, para se t’i zgjatet mandati në Kosovë.

“Të rishikohet për arsye se në formatin dhe mandatin aktual, ky mision ka dështuar t`i arrijë objektivat e saja. Nuk është që EULEX-i nuk ka pasur fushëveprim të gjerë të veprimit, porse këtë fushëveprim nuk e ka shfrytëzuar. Arrestimet e fundit më shumë kanë qenë një spektakël medial dhe nuk pasqyrojnë gjendjen reale të sukseseve dhe dështimeve të EULEX-it”.

Me gjithë vërejtjet e shumta, Ajeti tha se EULEX-i duhet të qëndrojë në Kosovë ngase sistemi vendor i drejtësisë ende është i paaftë të merret me krimet siç janë korrupsioni, krimi i organizuar etj.

Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Kosovës, u mblodh urgjent të hënën, për të diskutuar çështjen e vazhdimit të mandatit të Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, mirëpo seanca e Kuvendit të Kosovës e cila pritej mblidhej ditën e martë për të vendosur në lidhje me vazhdimin e mandatit të EULEX-it nuk ndodhi, kjo për arsye se as mbledhja e Kryesisë e cila ishte lajmëruar të mblidhej ditën e djeshme, nuk u mbajt.

E kjo sipas nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti kjo mbledhje nuk u mbajt pasi nuk është kompletuar dokumentacioni për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, projektligj i cili u miratua të hënën në Qeveri, e që pritet t’i dërgohet Kuvendit për votim. /Telegrafi/

Exit mobile version