Telegrafi

“EULEX-i i domosdoshëm për sundimin e ligjit”

Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, ka thënë se EULEX-i duhet të jetë në Kosovë edhe për pesë vjetët e ardhshëm.

Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai vlerësuar se qëndrimi i EULEX-it është i domosdoshëm për shkak se vendi ynë ende nuk ka arritur të instalojë dhe ta mbrojë autonominë e organeve shtetërore.

“Prania e EULEX-it në Kosovë është e domosdoshme dhe e dobishme për shkak se ende shteti ynë nuk i ka ndërtuar kapacitetet në kuadrin e gjyqtarëve, prokurorëve, hetuesve, policisë dhe, njëherësh, ende nuk ka arritur ta instalojë dhe ta mbrojë autonominë e organeve shtetërore. Për shkak të ndikimeve politike dhe atyre partiake, prania e EULEX-it është e mirë për Kosovën dhe për instalimin e sundimit të ligjit”, ka deklaruar Salihu.

Ai ka thënë se ndërkombëtarët e kanë ndihmuar shumë Kosovën dhe, sipas tij, pa ndihmën e tyre Kosova nuk do të kishte mundur të arrijë këtu.

“Çrregullimet e luftës kanë reflektuar në sistemin tonë të drejtësisë, prandaj është dashur të punohet nga zero. Ndërkombëtarët na kanë ndihmuar shumë dhe pa ndihmën e tyre nuk do të kishim mundur të arrijmë këtu ku jemi sot”, ka theksuar Salihu.

Ai ka vlerësuar se, pavarësisht progresit të arritur, ende ka shumë punë të mëdha për t’u bërë në mënyrë që sistemi i drejtësisë të jetë profesional dhe efikas.

“Duke marrë parasysh situatën e pasluftës, mendoj se është bërë një ecje përpara dhe një përparim në rekrutimin, arsimin dhe trajnimin e bartësve të funksioneve të drejtësisë, këtu mendoj në prokurorë, gjykatës dhe policia është një segment shumë i rëndësishëm i drejtësisë. Është punuar, por ka ende punë të mëdha për t’u bërë. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë më profesional dhe më efikas. Gjykatat tona janë të ngathëta e të ngadalshme dhe një ndër problemet e gjyqësisë së Kosovës është zgjatja e procedurave”, është shprehur Salihiu, duke shtuar se parakusht themelor për zhvillimin e mbarë shoqërisë është instalimi dhe funksionimi i shtetit ligjor.

“Baza, parakushtet dhe klima janë krijuar, mirëpo ky bazament duhet të ndërtohet dhe të konsolidohet. Ndër kushtet elementare të një shoqërie dhe të një shteti janë ndërtimi dhe instalimi i sistemit të drejtësisë. Sistemi i drejtësisë, sundimi i ligjit dhe shteti juridik janë parakushte për zhvillimin ekonomik dhe për lëmenjtë e tjerë”, ka theksuar Salihu.