Telegrafi

Eugent Bushpepa përfaqëson sonte Shqipërinë në Eurovision

Tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e garës së 63-të evropiane në këndim, Eurovision 2018. Ajo do të fillojë sonte në orën 21:00. 

Eugent Bushpepa është këngëtari që do të përfaqësojë Shqipërinë me këngën “Mall”. Janë 43 vende, të cilat është njoftuar se do të marrin pjesë në Evrovizion.

Sonte në natën e parë, gjysmëfinale, do të prezantohen 19 prej tyre, e ato janë Azerbejxhani, Islanda, Shqipëria, Belgjika, Republika çeke, Lituani, Izraeli, Bjellorusia, Estonia, Bullgaria, Maqedonia, Krocia, Austria, Greqia Finlanda, Armenia, Zvicra, Irlanda dhe Qipro.

Vetëm dhjetë prej tyre do të kualifikohen për finale, ndërkaq njëra prej tyre do të shpallet fituese. Shqipëria, për të 14-in vit me radhë do të prezantohet në këtë ngjarje, me këngën “Mall”, të cilën e interpreton Eugent Bushpepa, shkruan rtv21.

Pritet që Bushpepa, në gjysmë-finale të ketë konkurrence të fortë nga këngëtarët, pasi që siç është vlerësuar, do të marrin pjesë me këngët që janë vlerësuar si më të mirat e këtij edicioni.

Kjo është hera e parë që Portugalia është nikoqire e festivalit, e këtë pasi që vitin e kaluar, këngëtari Salvador Sobral fitoi garën Eurovision 2017 në Kiev, me këngën Amar Pelos Dois.

Fillimisht, për garën e sivjetme Eurovision ishte njoftuar se do të merrnin pjesë 42 vende, por pak kohë pas njoftimit, në këtë listë u shtua edhe Maqedonia.

Festivali evropian i muzikës do të mbahet me datat 8, 10 dhe 12 maj, kur edhe do të shpallet fituesi.