Situata e vështirë në Shqipëri ka ngjallur ankth tek të gjithë shqiptarët, kudo që ata ndodhen.
Për këtë gjendje kaq të vështirë ka folur edhe portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha, i cili në një intervistë të dhënë për mediat italiane është shprehur se shumë shqiptarë të Kosovës i kanë hapur dyert për njerëzit e prekur nga tërmeti.
“Tërmeti që ka goditur Shqipërinë është një tragjedi e madhe, sepse lëkundjet vetëm vazhdojnë, nuk ndalojnë. Populli është i frikësuar nga kjo situatë, dhe e keqja është se ato vazhdojnë”.
“Ndihma po vjen nga të gjitha anët, dhe në veçanti populli i Kosovës po ndihmon shumë. Ata kanë filluar të marrin në shtëpitë e tyre shumë shqiptarë që janë prekur nga tërmeti. Në këtë situatë kaq të vështirë, ky gjest është shumë i bukur”.
“Gjithashtu edhe Lazio ka qenë gjithmonë afër këtyre situatave. Ata kanë filluar të mbledhin fonde dhe me këtë gjest kanë treguar se janë një klub i madh dhe një ekip që gjithmonë është i gatshëm të ndihmojë”.
“Kam folur me miq në Durrës dhe më kanë thënë se kishte lëkundje për 30 sekonda, të cilat dukeshin se nuk do të mbaronin kurrë. Edhe familjarët e mi që ndodhen në Prishtinë i kanë ndjerë lëkundjet dhe dolën në rrugë natën duke qëndruar në makina, për të qenë më të sigurt”, ka thënë Etrit Berisha për mediat italiane.