Telegrafi

Etnografia dhe arkeologjia tonë në penelin e Rakip Shabanit

Piktura vaji, akuareli dhe grafika mirëpresin të shijohen nga publiku kryeqytetas ,në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita “Identitet” e piktorit Rakip Shabani vjen në kuadër të 29 shtatorit, “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” dhe të “Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore”.

Aktivitetin e përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili në fjalën e tij tha se “ekspozita përmban rreth 40 piktura me tematikë nga objekte të ndryshme të trashëgimisë sonë popullore të gërshetuara me kostume etnografike të trevave të ndryshme të Shqipërisë”.

Për autorin e ekspozitës, Anila Kati u shpreh se “kam ndjekur punën e tij dhe jam e mahnitur nga titulli që i ka vënë ekspozitës, dhe unë identitetin shqiptar e shoh në tablotë e tij të cilën e shpreh në mënyrën më të mirë”.

Gjatë fjalës së tij, piktori Ksenofon Dilo shprehet se “Rakipi në pikturat e tij ka dhënë shpirtin romantik. Kur shohim punimet e tij me karakter popullor ne krenohemi me ndjenjën e brendshme të piktorit”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 shtator 2018, në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar. /ata/