Ulja e interesit për zbatimin e masave të coronavirusit pas heqjes së gjendjes së emergjencës, ka bërë që sot kryeprokurori i Etiopisë të njoftojë 2 vjet burg për të gjithë ata që qëllimisht shkelin kufizimet e Covid-19.
Mes masave të tjera për të cilat parashikohen penalizimet e rënda janë shtrëngimi i duarve, ulja e më shumë se tre personave në një tavolinë bari ose restoranti, mos-mbajtja e maskës në vende publike apo qëndrimi më afër se “dy hapa të rriturish”.
“Po rikthehemi në situatën sikur COVID-19 të mos ishte më këtu, publiku nuk po merr masat e duhura”, tha ministrja e shëndetësisë Lia Tadesse.
Etiopia, vendi me popullatën e dytë më të madhe në Afrikë dhe fuqi ekonomike rajonale, shpalli në prill gjendjen e emergjencës për parandalimin e përhapjes së pandemisë, e cila u hoq në shtator.
Ministria e shëndetësisë ka thënë se vendi ka 91,118 raste me Covid-19, 1,384 vdekje dhe 44,506 të shëruar deri tani.