Site icon Telegrafi

Etika në politikën kosovare

Nëse duam ta japim nocionin dhe përkufizimin hyrës të etikës, të gjithë e dimë se ky term e ka domethënien e fjalëve zakon, karakter ose natyrë, e cila studion moralin ose etosin.

Elita politike në Kosovë, nëse mund ta quajmë kështu, sepse sipas pikëpamjeve në kontinuitet, kjo kategori e njerëzve, të cilët mund ta krijojnë edhe termin në fjalë, ende nuk ka treguar sukses për ta merituar këtë titull. Prandaj ne jemi të vetëdijshëm se ende kjo shtrese nuk është afirmuar sa duhet për të qenë e denjë që ta trashëgojë një emër të tillë. Ajo çka i bën të jenë larg kësaj nofke është se me apo pa vetëdije e shkelin aktin më të lartë njerëzor- etikën, gjë të cilën që në hapat e parë të institucionit përkatës që shkelin, e kanë përgjegjësi.

Ajo që na lë të kuptojmë është se politika kosovare ka ngelur me ideologji të vjetra antike, ose i ngjan asaj të para Luftës së Parë Botërore- fashizmit, të cilët konsideronin se forca, pushteti dhe morali përputhen njëra me tjetrën për të udhëhequr me një popull.

Megjithatë politika kosovare dita ditës ka filluar të afirmohet, duke i konvertuar ideologjitë e vjetra politike me ato të reja, duke iu falënderuar perspektivës së të rinjve, të cilët po arsimohen në botën e jashtme, si në Evropë dhe SHBA. Por këta të fundit para se të bëhen pjesë e arenës politike në Kosovë, kanë vështirësi dhe sfida të shumta në përballje me politikanë “veteranë”, të cilët nuk duan ta pranojnë se “perandoria” e tyre ka pësuar një transformim, ku do të respektohet ligji dhe gjerat do të ndryshojnë për të mirë.

Ende në Kosovë mbretëron diktatura në politikë, jo në formën siç ka qenë, por e mbështjellë me një mëndafsh të moderuar. Një politikë të tillë ne e shohim çdo ditë dhe është shumë e lehtë për ta kuptuar, por jo edhe opinioni i gjerë, i cili është hipnotizuar nga partitë politike, të cilat i shohin gjerat siç dëshirojnë vet, e jo dëshirat e tyre.

Arsyeja që i bën politikanët të jenë larg etikës është se u ka hyrë thellë në palcë të bërit politikë, duke mos e ditur në thelb se çfarë do të thotë dhe si bëhet ajo. Prandaj në Kosovë produkti i cili prodhohet pa asnjë kriter dhe cilësi janë politikanët. Ata janë bërë tamam si veturat “Golf 2”, gjë që ky i fundit është treguar shumë produktiv dhe ekonomik, barrë jo e rëndë për një familje, ndërsa politikanët janë bërë pothuaj kobi i këtij populli.

Duhet ta ketë parasysh elita politike, të cilën unë po kam dëshirë ta quaj kështu dhe ëndërroj që një ditë ta quaj kështu me plot kuptimin e fjalës, se nuk do të vijë bota shtazore tua sjellë ndërgjegjen në zemrat tyre. Objekt i vlerësimit moral është vetëm njeriu dhe për njerëzit si qenia më e arsyeshme në botë.

Exit mobile version