Site icon Telegrafi

Estonia kërkon shpjegime nga Kosova për mbylljen e “Iute Credit”

Vetëm katër ditë pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë i kishte ardhur edhe njohja nga Estonia. Bizneset e këtij shteti kanë bërë edhe disa investime në Kosovë në mesin e të cilave është edhe “IuteCredit”, e cila u mbyll me një vendim të Bankës Qendrore të Kosovës.

Për këtë veprim të Kosovës është interesuar Qeveria estoneze. Ministria e Jashtme e Estonisë ka kërkuar shpjegime nga Kosova pse është mbyllur ky biznes duke përdorur veprimet e skajshme ligjore.

Kryediplomati estonez, Matti Maasikas, para disa ditësh i ka telefonuar Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollit, nga i cili ka kërkuar shpjegime se pse shteti kosovar mbylli një biznes të Estonisë në Kosovë “IuteCredit”.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovë kanë konfirmuar bisedën e Pacollit me Urmas Reinsalu. Kanë thënë se temë e telefonatës ka qenë edhe mbyllja e “IuteCredit”. Kanë thënë se përgjigja e Pacollit për shefin e dioplmacisë estoneze ka qenë se Kosova ka vepruar bazuar në ligjet e aplikueshme.

Madje, edhe nivele tjera të diplomacisë estoneze janë angazhuar për të kërkuar sqarime se pse Banka Qendrore e Kosovës mbyllu biznesin “IuteCredit”.

Edhe Sektretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Estonisë Rainer Saks i është drejtuar homologut të tij kosovar në MPJ, Fitim Sadikut, nga i cili ka kërkuar informacione shtesë se çka ka ndodhur me “IuteCredit”. Ka kërkuar sqarime se pse është mbyllur një biznes i një vendi të BE’së kur dihen edhe raportet e mira Kosovë-Estoni.

Saks ka përmendur në fillim të letrës gjithë ndihmën e shtetit estonez ndaj Kosovës, duke filluar nga njohja, ndihmën në fushën e sundimit të ligjit, ndihmën ne anëtarësimin në organizata ndërkombëtare e deri te ndihmat financiare.

Ky zyrtar estonez ka kërkuar nga shteti i Kosovës sqarime pse është mbyllur “IuteCredit” derisa ka thënë se pret shpjegime nga Kosova se çka mund të bëjë shteti estonez për të kthyer aktivitetin e kësaj kompanie në Kosovë.

“Masat e marra dhe çështjet e ngritura nga Banka Qendrore e Kosovës kanë qenë proporcionale, dhe janë adresuar nga kompania. Vendimi që është marrë më 6 dhjetor 2019 është një masë e shkallës së fundit. Nuk duket të ketë pasur ndonjë proces paraprak të bazuar në ligjet që janë në fuqi që përshkruajnë qartë rrjedhën e procesin. Sa për dijeninë tonë, asgjë nuk e garanton një veprim të tillë”, thuhet në letrën e shkruar.

Avokati i ardhur nga Estonia, Rauno Kinkar, ka paralajmëruar mundësinë e prishjes së raporteve diplomatike për shkak të mbylljes së “IuteCredit” derisa ka bërë thirrje të ndalet procesi i likuidimit të biznesit estonez.

“Kjo tani është shndërruar në çështje ndërkombëtare dhe diplomatike. Estonia e ka njohur Kosovën ndër vendet e para. Ministri i punëve të jashtme e ka kontaktuar ministrin e jashtëm këtu në Kosovë. Kjo nuk është koha për përleshje diplomatike, ne jemi këtu që të gjejmë zgjidhje miqësore dhe procesi i likuidimit të ndërpritet dhe të shmangen dëmet e tjera të Iute Credit”, ka thënë Kinkar.

Avokatët e “IuteCrdit” kanë kërkuar, po ashtu, të respektohen rregullat ligjore me rastin e këtij biznesi. Kanë thënë se nëse s’respektohen rregullat do ta çojnë vendimin në Arbitrazh.

Exit mobile version