Autoritetet estoneze kanë dëbuar dy diplomatë rusë nga Estonia, por nuk dhanë arsyet e marrjes së këtij vendimi në kohën kur marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të tensionuara.
Sipas agjencisë së medias BNS, bëhet fjalë për Dmitri Kazennov, konsull i përgjithshëm në Narva dhe konsullit Andrei Sougaiev.
“Konfirmojmë se Estonia ka dëbuar dy diplomatë rusë. Nuk do të japim sqarime për këtë çështje”, ka thënë Sandra Kamilova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme e Estonisë.
Vendimi për dëbimin e diplomatëve rusë ka shkaktuar reagimin e Moskës zyrtare, e cila një hap të tillë të Talinit zyrtar e ka parë si provokues dhe arbitrar, duke premtuar një përgjigje të përshtatshme nga ana e Rusisë.
“Duket sikur dikush ka dashur të përkeqësojë më tej situatën në kufirin me Rusinë dhe vënë theksin tek miti i një kërcënimi rus”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme ruse.