Telegrafi

Eskavatorët dhe kamionët e KRU ‘Hidrodrini’ në mbështetje të komunave të prekura nga vërshimet

Zyra për Media e KRU ‘Hidrodrini’ me një komunikatë të radhës, të përditësuar gjatë orëve të mbrëmjes, njofton se pas pranimit të informatave nga terreni, pasojë e rreshjeve atmosferike që po vazhdojnë këto dy ditë, janë paraqitur turbullira në katër prej burimeve të ujit, që janë nën kompetencën e zonës së mbulueshmërisë të kësaj kompanie.

Burimi i Drinit të Bardhë (Radavc) Pejë, Burimi i CDF-së Deçan dhe ai i Jarines në Klinë.

Turbullira vazhdojnë të paraqiten në burimin e Drinit të Bardhë (Radavc), i cili furnizon pjesën veri-lindore të qytetit dhe fshatrave të Pejës, që nga Rrokaqielli.

Konsumatorët e kësaj pjese apelohen që ujin për pije ta konsumojnë vetëm të vluar.

Poashtu nga mbrëmja turbullira janë paraqitur edhe në Burimin e CDF-së – Njësia Operative Deçan. Konsumatorët e këtij burimi që mbulon fshatrat Dubovik, Prapaqan, Papiq dhe Krushec kanë mbetur pa ujë, meqë ekipet e terrenit janë detyruar të ndërprerjnë furnizimin për shkaqe sigurie dhe operacionale deri në sanim të situatës.

Bëhet e ditur se në koordinim me Ministrinë e Ekonomisë, krahas angazhimeve dhe detyrave në ujësjellës dhe kanalizim, kjo kompani ka vënë në dispozicion të komunave të zonës së saj të mbulueshmërisë, mjetet e rënda të punës, eskavatorë, kamionë dhe pompa në shërbim të uljes së rrezikut të përgjithshëm dhe shpëtimin e qytetarëve.

“Në zbatim dhe koodrdinim të kërkesave të Ministrisë së Ekonomisë, gjegjësisht zv/Ministri Getoar Mjeku dhe Kryeshefit Ekzekutiv të KRU ‘Hidrodrini’, ing. Agron Tigani, të gjitha Njësitë Operative të zonës së mbulueshmërisë krahas angazhimeve dhe detyrave në ujësjellës dhe kanalizim, kanë vënë në dispozicion të komunave mjetet e rënda të punës, eskavatorë, kamionë dhe pompa në shërbim të uljes së rrezikut të përgjithshëm dhe shpëtimin e qytetarëve.”