Site icon Telegrafi

Eshtrat nga shpella ‘Dardha’ në Kërçovë do të analizohen nga Universiteti italian

Me gjithë motin e vështirë, dje në shpellën në malësinë e Kërçovës, ka qëndruar një ekspeditë shkencore e përforcuar edhe me eskpertë nga Italia. Qëllimi është mbledhja e provave të reja për kafkat dhe mbetjet e tjera mortore të zbuluara kohë më parë dhe nënshtrimi i tyre analizave shkencore. Televizioni Art mëson se një pjesë e provave do të dërgohen për analizë në Universitetin e njohur të Urbinos, në Itali.

Dy ekspertë, një profesor universitar dhe një speleolog me përvojë, kanë mbërritur nga Italia, ndërsa gjatë ditës të njëjtët kanë qëndruar edhe në mjediset e shpellës përmbi Baçishtë në malësinë e Kërçovës. Ekspertët do të qëndrojnë disa ditë, në mënyrë që me kolegët e tyre nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup, të shkëmbejnë mendime për provat e marra nga mjediset e shpellës. Rikujtojmë se para afro tre muajsh, ishte ekspedita e speleologëve italianë, ajo që dha alarmin për dhjetëra kafka e mbetje të tjera mortore të pranishme në këtë shpellë, të zbuluar para 18 vjetësh, por që për arsye deri tani të panjohura – u la në harresë.

Deri tani ekspertë të mjekësisë ligjore, arkeologë, gjeologë, të kriminalistikës e speleologë nga shoqata ‘Korabi’ e Gostivarit, kanë grumbulluar prova të mjaftueshme për të nxjerrë përfundime shkencore – për vjetërsinë e kafkave në këtë shpellë që ndodhet në një lartësi mbidetare prej rreth 1.500 metrash, moshën e tyre dhe, nëse mbi viktimat është përdorur forcë.

Burime të afërta me hetimet që po drejtohen nga prokurori i çështjes, Ahmed Ahmedi, thonë për televizionin Art, se qëndrimi i ekspertëve nga Italia, është edhe në funksion të marrjes së disa provave, në radhë të parë kafka, e kocka, të cilat do t’ju nënshtrohen analizave shkencore, me mjete të sofistikuara, në universitetin e njohur të Urbinos për të hedhur dritë mbi misterin që shoqëron prej dekadash këtë shpellë dhe kafkat e gjetura në të. Deri tani ekspertët vendorë si dhe speleologët nga Italia pretendojnë se vjetërsia e kafkave mund të jetë 60-70 vjeçe, pra që mund të lidhen me zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore dhe me periudhën deri në fillim të viteve gjashtëdhjetë, që ndër ne njihet si koha e Rankoviqit dhe UDB-së famëkeqe. Sidoqoftë, angazhimi edhe i ekspertëve nga Italia ushqen shpresën se më në fund e vërteta për këtë shpellë dhe krimet që mund të jenë bërë, do të dalë sheshit./Telegrafi/

Exit mobile version