Lideri i degës së grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), në Afganistan dhe Pakistan, Hafiz Saeed Khan, është vrarë gjatë një sulmi ajror muajin e kaluar në rajonin kufitar ndërmjet dy vendeve, kanë thënë zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit.
Ky lideri i IS-it është vrarë nga sulmi me fluturake pa ekuipazh të Shteteve të Bashkuara në rajonin Kot, në provincën Nangarhar të Afganistanit, më 26 korrik, ka thënë mbrëmë një zyrtar i paidentifikuar i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara.
Ambasadori afgan në Pakistan, Omar Zakhilwall, i ka thënë agjencisë Reuters se ai kishte parë konfirmim nga forcat e sigurisë së Afganistanit, për vrasjen e liderit të IS-it, Hafiz Saeed Khan.
Për vrasjen e këtij personi ishte raportuar më herët.
Ai ishte emëruar shef i grupit “Khorasan Province” të Shtetit Islamik, ku përfshihen Afganistani, Pakistani dhe pjesë të vendeve fqinje, në fillim të vitit të kaluar, kur grupi i talibanëve pakistanezë i kishte shprehur lojalitet liderit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.