Transferimi i Vinicius Junior në Arabinë Saudite është vetëm një çështje kohe sipas shefit të kampionatit.
Reprezentuesi brazilian ndonëse vetëm 24-vjeçar, ka pasur thashetheme se mund të transferohet në një të ardhme të afërt në Lindjen e Mesme.
Është raportuar se një shifër rekord botërore prej 1 miliardë eurosh është grumbulluar nga pronarët e klubeve në një kampionat ku tashmë luajnë legjenda të Real Madridit si Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema.
Omar Mugharbel, shefi i Superligës së Arabisë beson se Vinicius do të ndjekë hapat e njëjtë të karrierës dhe në një të ardhme të afërt do të bëhet pjesë e tyre.
Ai tashmë ka folur në një intervistë për Marca rreth interesimit që kanë për transferimin e brazilianit.
“Ne nuk kemi ëndrra, është vetëm çështje kohe dhe negociatash”, ka thënë Mugharbel fillimisht.
“Lojtarët e huaj kanë qenë gjithmonë pjesë e klubeve arabe. Në vitet e fundit, numri i lojtarëve të huaj në klube ka ndryshuar. Këtë sezon ne kemi përfshirë një numër tetë plus dy të tjerë nën moshën 21-vjeçare”.
“Ka qenë gjithmonë në ADN-në e kësaj lige që të sjellin lojtarë të huaj dhe ta bëjnë më të bukur. Çfarë ka ndryshuar shumë, veçanërisht në dy vitet e fundit, është kualiteti i lojtarëve të cilët po vijnë”.
“Benzema, në mesin e të tjerëve, krijoi një ndikim më të madh, si në aspektin nacional ashtu edhe ndërkombëtar”, përfundoi ai./Telegrafi/