Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur të premten një tryezë bisedimesh me partitë politike, institucionet e angazhuara në procesin zgjedhor dhe shoqërinë civile, për të trajtuar pikërisht çështjen e reformave.
Mënyrën se si e ka marrë presidenti Thaçi iniciativën për rifillimin e procesit të reformës zgjedhore, përfaqësues të subjekteve politike e shohin si lojë mashtruese të radhës, për ta forcuar pozitën e pavolitshme dhe shumë të izoluar në krye të shtetit, qoftë edhe përmes një deformimi të sistemit zgjedhor në emër të reformimit.
Deputeti Adem Salihaj, nga LDK-ja, sado që e sheh të domosdoshme një reformë të mirëfilltë zgjedhore gjithëpërfshirëse, inicimin e saj nga presidenti Thaçi e sheh si shumë joserioze dhe aspak të realizueshme, ngase prapa kësaj iniciative mund fshihen qëllimet personale të Thaçit dhe rrjetit të tij, siç thotë Salihaj, kriminal.
“Çfarëdo reforme zgjedhore që kërkon Thaçi, do të jetë ‘reformë’ për interesa të tij dhe të krimit të organizuar, dhe jo për interesa të Kosovës. Unë nuk besoj aspak se ‘reforma’, që do të kërkojë ai do të jetë për ta përmirësuar sistemin zgjedhor. Ndoshta ai do të përpiqet që këtë reformë t’ia përshtatë edhe interesave të tija personale, apo që të na kthejë mbrapa në sistemin zgjedhor me lista të mbyllura, për t’i bërë deputetët servilët e partive politike për të votuar vendime, që janë në kundërshtim me interesat kombëtare. Shpresoj se Thaçi nuk do t’i arrijë këto qëllime të mbrapshta”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.
Deputeti i lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Ismail Kurteshi, thekson se përpjekja për t’u legjitimuar përmes shfrytëzimit të situatave të caktuara vetëm sa e shton delegjitimitetin e të gjithë atyre që, përmes pazareve të pista, arrijnë në pozita, për të cilat nuk e kanë përkrahjen e qytetarëve.
“Edhe përpjekja e sotme e Thaçit ka përfunduar e dështuar dhe vetëm sa e ka kontestuar edhe më shumë legjitimitetin e tij. Sa i përket idesë për reformë zgjedhore, tani kur zgjedhjen janë shumë afër, kjo ide është farsë, pasi që për përcaktimin e një sistemi të caktuar zgjedhor në Kosovë duhet një përgatitje serioze dhe një debat i gjerë me qytetarët e Republikës, madje nuk do të ishte keq që për këtë çështje të rëndësisë së veçantë të organizohet edhe referendum, ku do të merret parasysh vullneti i popullit. Nëse nuk merren parasysh sugjerimet e qytetarëve, por për sistemin zgjedhor vendosin partitë politike, Kosova nuk do të ketë kurrë sistemin zgjedhor që i duhet vendit, por do të përfundojë në një sistem që u konvenon krerëve të partive, sidomos të atyre të mëdha”, ka thënë Kurteshi.
Në linjë gati të njëjtë është edhe deputeti Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën.
“Ky është një muhabet kot. Është vetë Hashim Thaçi ai personi, i cili e ka bllokuar reformën zgjedhore më shumë se 6 vjet resht, dhe aspak nuk i dihet nëse tani e ka seriozisht apo jo këtë farë pune”, është shprehur Berisha.
Se është shumë i mundur skenari i planifikuar i Hashim Thaçit, që me inicimin e reformës të mendojë edhe për vete, në kontrabandimin e një mandati të radhës për president, qoftë edhe me manipulim industrial votash, nuk e përjashton si mundësi as nënkryetari i AAK-së Ali Lajçi.
Sidoqoftë, ai thotë se reforma duhet të ndodhë pa vonesë dhe në zgjedhje nuk do të duhej shkuar pa finalizimin e këtij procesi.
“Kalkulimet dhe lojërat de fakto janë këto, madje edhe për t’u faktorizuar paksa presidenti, i cili nuk ka aspak autoritet në opinionin publik dhe atë politik”, tha Lajçi për “Kosova Sot”.