Site icon Telegrafi

Është shtyrë ndeshja Trepça-RTV 21

Sipas komisarit të garave, Tajar Rifati, kjo ndeshje duhet të luhet të premten (sot) nga ora 15:00. Trepça është fituese në fuqi e trofeut të Kupës.

"Shiu i madh ka bërë që palestra në Vushtrri të pikë dhe për këtë arsye nuk ka pasur kushte për lojë. Ndeshja duhet të zhvillohet brenda 24 orëve dhe termini i ri është caktuar për të premten nga ora 15:00. Takimi është paraparë të luhet në Vushtrri, por nëse ka sërish reshje dhe nuk sanohet dëmtimi në kulm, atëherë ndeshja duhet të luhet në ndonjë vend tjetër. Opsion është Malisheva", ka thënë Rifati.

Palestra e Vushtrrisë është një prej atyre të ndërtuara pas luftës në Kosovë.

Në turneun final të kupës janë kualifikuar Peja dhe Sigkos Bashkimi që të mërkurën mbrëma fituan ndeshjet e tyre çerekfinale. Peja mposhti Kosovën e Vushtrrisë me rezultatin 118:61, ndërsa Bashkimi fitoi kundër Vëllaznimit 103:53. Ndërkohë, ndeshja mes Sigal Prishtinës e Dritës do të luhet javën tjetër.

Për shkak të pikjes në palestrën e Vushtrrisë nuk është luajtur as takimi gjysmë-final në konkurrencën e femrave mes Trepçës e Sigal Prishtinës. Edhe kjo ndeshje luhet të premten (sot), raporton Koha Ditore. /Telegrafi/ 

Exit mobile version