Telegrafi

Është shkarkuar juria pasi nuk arriti të merrte vendime në gjyqin e Ryan Giggs

(Foto: PA Media)

Juria në gjyqin e legjendës së Manchester Unitedit, Ryan Giggs, është shkarkuar pasi nuk ka arritur të marrë vendime për asnjërën nga akuzat.

48-vjeçari mohoi ta ketë goditur me kokë ish-partneren Kate Greville (38 vjeçare) gjatë një sherri në shtëpinë e tij në nëntor të vitit 2020.

Gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën e Kurorës së Mançesterit që zgjati katër javë, ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet për sjellje kontrolluese, si dhe mohoi ta ketë sulmuar motrën e Kate, Emma (26 vjeçare).

Juria nuk kishte arritur të merrte vendim për asnjë nga tri akuzat kundër Giggs, i cili ishte trajner i Uellsit derisa dha dorëheqjen në qershor, pas ngritjes së akuzave ndaj tij.

(Foto: Getty Images)

Gjyqtarja Hilary Manley i kishte pyetur anëtarët e jurisë nëse kishin marrë vendim për ndonjë pikë, ndërsa kryetari i jurisë u përgjigj: “Jo”. I pyetur nëse kishte ndonjë “perspektivë reale” që ata të arrinin vendime nëse u jepej më shumë kohë, kryetari u përgjigj përsëri: “Jo”.

Më pas, gjyqtarja i ka falënderuar ata dhe i ka shkarkuar duke i paralajmëruar që të mos e diskutojnë çështjen, pasi mund të ketë një gjykim tjetër të çështjes në të ardhmen.

Manley ka thënë se “ishte e qartë se ata u përpoqën shumë për të marrë vendime” dhe nuk duhet të ndiheshin “të zhgënjyer”.

Çdo rigjykim nuk do të bëhet të paktën deri më 5 qershor 2023 – ka sqaruar gjyqtarja e rastit.


Çfarë ndodh tutje

Prokuroria ka një javë kohë për të vendosur nëse do ta vazhdojë një rigjykim dhe nëse kjo ndodh, atëherë një juri e re do të betohet, e cila do t’i dëgjojë provat si pjesë e një gjyqi të ri.

Ndryshe, Giggs është liruar me kusht deri më 7 shtator, ndërsa ajo që do të ndodhë pas kësaj date për këtë rast. do të diskutohet në një seancë tjetër.


/Telegrafi/