Site icon Telegrafi

“Është një luftë”, ylli i Arsenalit i dërgon një paralajmërim të ashpër skuadrës së Man Cityt

Gabriel Magalhaes e quajti atë ‘një luftë’ në përgjigje të veprimit të Erling Haaland pasi norvegjezi ia hodhi topin në kokë, ndërsa gjithashtu ka çuar një paralajmërim të fortë për të gjithë ekipin e Manchester Cityt.

Përkundër faktit se mbetën vetëm me dhjetë lojtarë në fushë pas përjashtimit të Leandro Trossard, Arsenali luftoi fortë deri në sekondat e fundit për të ruajtur epërsinë.

Sidoqoftë, City ia doli që të gjejë golin e barazimit dhe këtë e bëri përmes John Stones që realizoi në momentet e fundit të takimit.

Ky gol i vonshëm i Cityt bëri që të shpërthejë nervozizmi në fushë pasi gjithashtu Haalandi e hodhi topin në drejtim të kokës së brazilianit në një gjest provokativ.

Pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, të dy ekipet u përfshinë në një përleshje verbale madje norvegjezi u kap nga kamerat duke i thënë Mikel Artetas që të ‘qëndrojë i përulur’.

Sidoqoftë, Gabriel e ruajti qetësinë e tij dhe nuk e komentoi incidentin pas ndeshjes, duke thënë se mezi e mban mend.

“As nuk e mbaj mend këtë. Është normale, ata janë të lumtur pasi shënuan në minutën e fundit. Ata po luanin në shtëpi, kështu që detyra e tyre ishte të fitonin, por ekipi ynë bëri mjaft mirë duke rezistuar”.

“Është një betejë, është një luftë, kështu që është normale që të kemi akte provokimi në futboll, është pjesë e lojës. Tani kjo ka mbaruar dhe ne po i presim ata në stadiumin tonë”, ka thënë Magalhaes./Telegrafi/

Exit mobile version