Site icon Telegrafi

Është milioner dhe fitues i Wimbledonit, por Alcaraz ende jeton me prindërit në banesën që ndodhet mbi një qebaptore

(Foto: Getty/Solarpix)

Carlos Alcaraz është shndërruar në njërin prej sportistëve më premtues në planet, ndërsa fitorja në Wimbledon e dëshmoi këtë, teksa në jetën private është shumë modest.

Sensacioni i tenisit zhvilloi një duel klasi të dielën duke ia pamundësuar Novak Djokovicit barazimin e rekordit për numrin e trofeve në turneun e madh të Londrës.

Lexo po ashtu Carlos Alcaraz shkruan historinë: Fiton Wimbledonin në duelin mbi katër orësh

20-vjeçari zhvilloi një përballje me pesë sete kundër serbit (1-6, 7-6, 6-1, 3-6, 6-4) duke i dhënë fund serisë dhjetëvjeçare pa humbje në Centre Court.

(Foto: Getty)

Mirëpo, edhe pse ka një pasuri prej rreth 20 milionë eurosh (afro tre milionë nga të cilat i fitoi në Wimbledon), ai do të kthehet në apartamentin e prindërve të tij në El Palmar, afër Murcias në jug të Spanjës.

Lexo po ashtu Milionat që i fitoi Carlos Alcaraz me triumfin historik në Wimbledon - më i paguari për vitin 2023

Alcaraz zgjedh të bëjë një jetë modeste në banesën që ndodhet mbi një qebaptore dhe piceri (Turquesa Kebab & Pizza), ku klientët mund ta blejnë një doner qebap për 4.5 euro.

Falë arritjeve të mëdha në tenis në një moshë shumë të re, në qytetin e tij është vizatuar një mural i madh në nder të kampionit të Wimbledonit.

(Foto: Solarpix)

Suksesi i parë i madh erdhi në shtator të vitit të kaluar kur e fitoi US Open duke mposhtur Casper Ruud në finale dhe u bë tenisti më i ri që e fitonte atë turne që nga Pete Sampras në vitin 1990.

Lexo po ashtu Fjalët e para të Carlos Alcaraz pas triumfit historik në Wimbledon

Ai shkroi edhe më shumë histori në Wimbledon duke u bërë i pari jashtë katërshes legjendare – Roger Federer, Rafael Nadal, Novak Djokovic e Andy Murray – që e fiton këtë turne që nga vitit 2002.

Përkundër suksesit dhe marrëveshjeve luksoze të sponsorizimit nga Louis Vuitton e Calvin Klein, Alcaraz mbetet jashtëzakonisht i përulur. Ai njihet ende me pseudonimet e tij Charly dhe Carlitos për banorët e El Palmar.

(Foto: Solarpix)

Dy herë fituesi i Grand Slamit qëndron në njërën nga katër dhomat në katin e poshtëm të dupleksit të familjes së tij sa herë që është në qytet. Kati i fundit mbetet i mbushur me pajisje të vjetra tenisi dhe rroba nga sponsorët e tij.

Megjithatë, The Sun raporton se ai po përgatitet të ndihmojë nënën dhe babanë e tij të zhvendosen në një shtëpi të re në një pronë banimi luksoze, 15 minuta larg vendbanimit të tyre aktual. /Telegrafi/

Exit mobile version