Site icon Telegrafi

Është lehtë të kritikosh, por është vështirë të veprosh

Marrëveshja e Buehlerit, si biznesi i Trashlerit

Në shkrimin paraprak pata thënë se Borko Stefanovic dhe Goran Bogdanovic, si makro aktualë të strukturave kriminale paralele serbe po luajnë lojën e cic- micit me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Buehler dhe se i kanë bërë ‘shylevek’. Gjithashtu, isha i sigurt se gjenerali Buehler do t’i mësojë edhe do lojëra dhe se do t’i luajë ato lojëra sipas muzikës serbe! Ashtu edhe ndodhi! Serbët, në me krye cubat Stefanovic dhe Bogdanovic bllokonin rrugët kryesore duke grumbulluar trungje, rërë, gurë, si resurse të palëvizshme dhe bërllokun paramilitaro – parapolitik, si resurse lëvizëse! Bërthama e këtij bërlloku ishin ivanoviqët, janiqieviqët, ristiqët, jakshiqët dhe antonijeviqët, bandat paramilitare që kishin vrarë dhe masakruar civilë shqiptarë gjatë luftës çlirimtare dhe që e kishin vazhduar krimin edhe pas përfundimit të luftës! Sidomos në shkurt të vitit 2000 kur u vranë 11 shqiptarë dhe u shpërngulën me dhunë 13.800 shqiptarë dhe joserbë! Këta e vranë edhe Sefko Salkovicin, boshnjakun që e kishte vendosur në shtëpinë e tij flamurin e Republikës së Kosovës! Këta vranë edhe shumë shqiptarë të tjerë. Këta vranë edhe policë ndërkombëtarë! Kjo bandë vrau edhe Enver Zymberin, policin e ROSU, si dhe plagosën disa policë të tjerë! Këta piromanë shovinistë shkatërruan pikat kufitare 1 dhe 31.

Shkatërrimin dhe djegien e pikës kufitare 1 e përsëritën, në ndërkohë që policia e EULEX-it ia mbathi për Serbi! Në barrikada grumbulluan gra, fëmijë dhe pleq! Paramilitarët shoqëronin Borkon dhe Goranin, në ndërkohë që në ato diga bllokuese kishte edhe popa të Kishës Ortodokse Serbe. Popat e kësaj kishe bekonin paramilitarët e Arkanit në bazën e tyre në Erdut para se të fillonin “vallen e krimeve” në Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë! Popat e kësaj kishe bekonin edhe ata që vendoseshin në barrikadat e Borko Stefanovicit dhe Goran Bogdanovicit! Menaxhere kryesore e sistemimit në barrikada ishte një shtrigë bionde, e cila nga ballkoni i Gjykatës së Qarkut (e okupuar po nga këta paramilitarë), me flamur të Serbisë në dorë brohoriste “ovo je Serbija”. Më kujtohet se kur e sollën të prangosur në Prishtinë, sillej si Majka Jevrosima! Nuk i dëgjohej fare zëri!

Pjesën veriore të Republikës së Kosovës e patën shndërruar në parajsë të krimit të organizuar. Në prani të policisë së UNMIK-ut, EULEX-it dhe KFOR-it! Në kartele të tipit të Medelinit të Kolumbisë nga koha e Pablo Eskobarit, në banda mafioze të Meksikos si dhe Sacra Corona Unita të Italisë (varianti më kriminal i mafisë italiane)! Ndonëse ishte një dallim. Mafiozët në Kolumbi, Meksiko apo Itali burgoseshin ose vriteshin, në pjesën veriore të Republikës së Kosovës vetëm trasheshin! Vetëm shtoheshin! Të gjithë e dinin se çka po ndodhte në atë pjesë të Kosovës dhe të gjithë heshtnin.

Ndërkombëtarët propozonin që me këta kriminelë të bëhej dialog. Që krimin e organizuar ta mbështjellin me forcë politike! Krimi i organizuar në këtë pjesë të Kosovës organizonte zgjedhje të Serbisë në Kosovë ndërsa pengonte organizimin e zgjedhjeve të Kosovës në Kosovë! Krimi i organizuar zgjidhte kryetarët e komunave si dhe tërë administratën paralele të Serbisë! Ndërkombëtarët u ndihmonin në organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duke i siguruar me polici të tyre! Ndërkombëtarët mundësuan që policët serbë të Policisë së Kosovës t’i binden Beogradit dhe jo Prishtinës duke e këputur zinxhirin komandues me Prishtinën dhe duke e trashur zinxhirin komandues me Beogradin. Nuk e besoj se ka ndonjë vend në botë ku policia ka refuzuar punën në shtetin, uniformën e të cilit ka bartur thuaja për një vit dhe është paguar me rrogë duke punuar për shtetin që ka dashur dhe bën çmos ta shkatërrojë Kosovën. Ky shtet është Serbia! Ndërkombëtarët tërë kohën e bojkotit kanë qenë në anën e policëve të Serbisë që kanë bartur uniformat e Policisë së Kosovës dhe janë paguar nga buxheti i Kosovës duke mos lejuar që ndaj tyre të merren masat e domosdoshme! Në shtetin e tyre këtë nuk do ta lejonin kurrë! Në shtetin e tyre kurrë nuk do të lejonin që forcat paramilitare të shtetit armik t’i vjelin doganat në formë të zhvatjes! Të vendosin ligjin e krimit mbi Kushtetutën e vendit! Në Kosovë e kanë lejuar këtë! Madje e kanë përkrahur duke biseduar me strukturat paralele të Serbisë! Ndërkombëtarët kanë lejuar që politikanët kosovarë, nga niveli i kryetarëve të komunave deri te posti ministror të përfitojnë miliona euro nga krimi i organizuar. E kanë lejuar bashkëjetesën e politikanëve të kriminalizuar dhe korruptuar kosovarë me krerët e krimit të organizuar mafioz serb, vetëm për të ruajtur situatën e sigurisë dhe për t’i hyrë në qejf regjimit të Serbisë!

Duke marrë parasysh këtë bashkëdyzim, bashkëpunim dhe bashkëveprim të kriminelëve serbë dhe kosovarë, ndërkombëtarët janë kontribuues në fuqizimin e këtij krimi! Po me këta kriminelë të strukturave paralele të Serbisë, gjenerali Buehler e lidhë Marrëveshjen trepikëshe, e cila faktikisht e bën situatën më të rëndë se para datës 25 korrik! Tash malli i Serbisë kontrabandohet si ndihmë humanitare! Prapë nuk ka kontrollim doganor të mallit, nuk ka doganierë dhe policë të Republikës së Kosovës! Çfarë përparimi ka këtu kur drejtor i “doganave” bëhet Borko Stefanovic ndërsa “doganierë” dhe “policë” bëhen rojat e urës dhe kriminelët e barrikadave! Këtë që e ka bërë gjenerali Buehler në Kosovë nuk do ta duronin as pjesëtarët e fisit Zullu në Afrikën e shekullit 18 –të! Për Kosovën dhe qytetarët e saj tre pikat e Marrëveshjes së Buehlerit i ngjajnë tri puthjeve ortodokse të grofit Drakulla!

Duket, sipas të gjitha gjasave së këtë “marrëveshje” në fakt e ka shkruar Tadici, e kanë përmirësuar Milan Jaksici dhe Oliver Ivanovici, është konsultuar Vojislav Seseli, postier ka qenë Borko Stefanovic, ndërsa e ka nënshkruar gjenerali Buehler! Pastaj, Hashim Thaçi e ka lexuar në media! Kjo “marrëveshje” dëmton shumë interesat dhe ardhmërinë e serbëve që duan të jetojnë në Kosovë! Sepse ata kanë mbetur në senduiç midis Tadicit dhe Buehlerit! Politikanët tanë në rastin konkret janë krejt jashtë loje! Nëse hyjnë në lojë me këto rregulla të lojës, me këto tri pika e kanë të garantuar kartonin e kuq dhe diskualifikimin e përjetshëm nga fushëbeteja politike dhe kombëtare!

Konstruktiviteti dhe destruktiviteti

Pas 25 korrikut e patëm një reagim folklorik dhe euforik. Pikërisht si teneqja nga fabrika e falimentuar e llamarinës në Vushtrri! Për një kohë na bashkoi gjaku i dëshmorit Enver Zymberi. Neve duhet të na thyejnë kokën mirë e mirë që ta respektojmë njëri- tjetrin! Serbët nga asgjë hiçi krijojnë vlera. Ne vlerat e vërteta i bëjmë antivlera. Politikanët serbë sakrifikohen për shtetin, ndërsa shumica e politikanëve shqiptarë sakrifikohen për pushtetin. Serbët e vranë Karadjordjin, Obrenovicin, Draza Mihajlovicin, Djindjicin, Arkanin, Leginë etj. I lidhën dhe i dorëzuan në Hagë Miloshevicin, Milutinovicin, Karadzicin, Mladicin dhe Hadzicin kur e vlerësuan së është në interes të Serbisë. Vuk Jeremici e luan rolin e palaços për interesa të shtetit të tij. Borko Stefanovic, nga një qengj i butë u shndërrua në një derr të egër për interesa të Serbisë. Pra, këta vetësakrifikohen për Serbinë. Ndërkaq, tash po e sulmojnë Hashim Thaçin pse nuk e paska çliruar Mitrovicën ndonëse e dinë se edhe ata, po të ishin në pozitën e tij nuk do të bënin asgjë më tepër.

Kam thënë botërisht se Hashim Thaçi është improvizues gjenial dhe pehlivan që ka mbijetuar të gjitha situatat deri më tani por që pashmangshëm do ta humbë betejën e fundit. Mirëpo, në këtë situatë Hashim Thaçi e meriton përkrahjen e plotë. Unë nuk jam i gatshëm që vetëm për ta hequr Hashim Thaçin nga skena politike t’i fus flakën Kosovës! Po e them gjithashtu se asnjë politikan në skenën politike kosovare aktuale nuk do ta menaxhonte më mirë situatën e krijuar! Këta politikanë që po e quajnë Thaçin sfilatist për të përfituar nga kjo situatë e kanë shumë gabim! Hashim Thaçit nuk po i rrezikohet posti i kryeministrit dhe zgjedhjet nuk janë në prag! Dhe këta nuk mund ta rrëzojnë Hashimin. Hashimin do ta shtrijnë për toke vetëm “sytë e ballit”. Është shumë e pamoralshme që në këto çaste t’i përmendet raporti i Dick Martyt dhe shantazhohet me këtë.

Definitivisht gjërat kanë lëvizur dhe nuk do të kthehet gjendja e para 25 korrikut. Për momentin është edhe më keq, por kjo nuk mund të zgjasë në infinit. Në fund të fundit, kush e ka ndaluar opozitën të organizojë protesta gjithëpopullore “për bashkimin e Mitrovicës”! Kurrë nuk ka qenë kohë më e përshtatshme dhe rast më i mirë! Pse nuk e kanë bërë? Përgjigjen gjejeni vet, lexues të nderuar. Për shumë gjëra nuk pajtohem me Hashim Thaçin, mirëpo për këtë rast e vlerësoj se ka bërë një veprim të domosdoshëm. Dhe shumë të guximshëm. Dhe askush normal nuk mund ta mohojë patriotizmin e Hashim Thaçit dhe kontributin e tij në procesin e shtetbërjes së Kosovës. E ka hapur një shteg të vogël në kënetën e krimit të organizuar në Mitrovicën e Veriut nga domosdoshmërisht, së bashku me ujin e ndotur do të shkojnë edhe kriminelët, serbë dhe shqiptarë! Filtri i drejtësisë dhe inkriminimi i tyre do ta përcaktojë përbërjen e “peshqve të mëdhenj” që do të kapen posa ta lëshojnë kënetën e krimit të organizuar!

Është keq ndoshta që e them dhe tingëllon mbase edhe pesimiste, por Hashim Thaçi sot nuk ka alternativë në Kosovë! Ose, ma gjeni cili është?! Hashim Thaçi do të jetë i fortë dhe ndjehet i fortë, sepse e dinë shumë mirë se është i pazëvendësueshëm! Sepse po përkrahet nga dy “sytë e ballit”, Washingtoni dhe Brukseli! Dhe, sepse i ka fituar zgjedhjet për dy mandate! Dhe se do t’i fitojë edhe në mandatin e tretë! Unë nuk e dëshiroj përfundimin e Hashim Thaçit edhe nëse më fusin në trezorin e Thesarit të SHBA-ve. Kur e them këtë mos mendoni se e kam zbuluar Amerikën, por po flas nga përvoja e shteteve rreth nesh. Kemi shembuj shumë konkretë. Shumë kam dëshirë të gaboj në këtë parashikimin tim. Nuk mund ta kenë të gjithë fatin e Milo Djukanovicit, i cili ka mbijetuar falë rrethanave të caktuara.

Propozoni alternativa si t’i ndihmojmë Republikës së Kosovës. Si ta forcojmë shtetin! Për ta shkatërruar e kemi shumë lehtë! Hashim Thaçi dhe çdonjëri prej nesh është i vogël karshi interesave të shtetit. Ne jemi vdekatarë të thjeshtë dhe kalimtarë të rastit në shtëpinë, kornizën apo hapësirën që quhet Republika e Kosovës e që unë do të doja të quhet Shqipëri! Kjo është dëshira, por cilat janë mundësitë reale?!

Exit mobile version