Kritiku i filmit i BBC-së, Nicholas Barber, shkruan për filmin “Plan 9 from Outer Space”. Shkrimin e tij Telegrafi sjell si më poshtë.
Në vitin 1978 u botua libri “The Fifty Worst Films of All Time” (Pesëdhjetë filmat më të këqij të të gjitha kohërave). Libri merrej me krimet kundër kinemasë, si “Valley of the Dolls” (Lugina e kukullave) dhe “Robot Monster” (Roboti përbindësh); merrej edhe me filmin “The Omen” (Oguri), paksa ashpër, por, autorët – Harry Medved dhe Randy Dreyfuss – e dinin se ka edhe më keq. Në fund të librit ata e përfshinë një faqe për sugjerime. Lexuesit ftoheshin ta plotësonin dhe t’ua dërgonin me postë. Një emër ishte shkruar në gati 400 prej letrave: “Plan 9 from Outer Space” (Plani 9 nga gjithësia e jashtme).
Me skenar, regji dhe i prodhuar nga Edward D Wood Jr – i njohur më mirë si Ed Wood – filmi është hibrid fantashkencë/horror, me alienë që shkojnë në ShBA me disqe fluturuese, për t’i ringjallur kufomat e një varreze të një qyteti të vogël. Filmi mezi u pa në kinema gjatë premierës në Los Anxhelos, në vitin 1957, por sapo nisi të shfaqej në orët e vona në televizione, në vitin 1961, shikuesit vunë re se ky nuk ishte film i zakonshëm i kategorisë B – ose në të vërtetë C-, D- apo E. Kur Medved dhe vëllai i tij Michael e botuan librin e plotësuar në vitin 1980, çmimi Golden Turkey, për filmin më të keq të të gjitha kohëve shkoi për “Planin 9…”
Vlerësimi i tillë nuk ndryshoi. Mes adhuruesve të kinemasë që shijojnë filmat e këqij po aq sa ata të mirë, “Plani 9” u bë i njohur si filmi i vetëm që duhet ta shikoni e ta shikonit e t’ju thoni miqve (ose armiqve) ta shohin gjithashtu. Xavier Mendik, redaktor i librit “The Cult Film Reader”, thotë se “është shabllon kyç për ta gjykuar statusin e filmit kult”. Adhuruesit shkruan vazhdime jozyrtare dhe montuan disa përshtatje skenike. Jerry Seinfeld dhe miqtë e tij synojnë ta shikojnë në një episod të serisë “Seinfeld” të vitit 1991. E, në vitin 1994, biografia e Tim Burtonit për Ed Woodin e arrin kulmin gjatë realizimit të filmit për jetën e tij. “Kjo është ajo”, thotë Wood (Johnny Depp) në premierë. “Është ajo për të cilën do të më kujtojnë”.
Pavarësisht nëse Woodi tha diçka të tillë apo jo, “Plani 9” është padyshim filmi për të cilin mbahet mend. Më shumë se 60 vjet nga premiera dhe më shumë se 40 vjet qëkur çmimet Golden Turkey e kthyen nga errësira, është mishërim i tmerrit kinematografik. Dhe, kjo është arsyeja pse aq shumë njerëz e duan. Por, çfarë e dallon nga katastrofat tjera në celuloid?
“Është e vështirë të përcaktosh thelbin e asaj që e bën një film të keq e të mërzitshëm, nga njëra anë, dhe një film tjetër të keq e argëtues, nga ana tjetër”, thotë Jamie Sexton, redaktore e librit “The Routledge Companion to Cult Cinema, “por filmat e këqij e argëtues dështojnë t’i përmbushin konvencionet filmike. Ka zbrazëti midis ambicies dhe arritjes”.
“Plani 9” nuk është thjesht një film i keq, por manual se “Çfarë nuk duhet të bëni”. Pjesa më e madhe përbëhet nga skenat e gjata, të panatyrshme, me biseda në të cilat dialogu është ose përsëritës, ose i lodhshëm, ose pa dashje qesharak. Për shembull: “Një gjë është e sigurt: Inspektori Clay ka vdekur. U vra. Dhe, dikush është përgjegjës”. Skenografia ishte e lirë, por edhe ato pak para janë shpenzuar gabimisht. Gurët e varreve, të hollë e prej kartoni, dhe sfondet amatore janë patetike. Por, pse alienët kanë tavolinë të bukur prej druri në anijen e tyre kozmike? Pse lideri i tyre ka veshur tabard me shtizë e mburojë si një roje kështjelle? E, aktrimi është përtej parodisë. Merreni si shembull Tor Johnsonin, një mundës suedez i cili u emërua inspektor i policisë amerikane, pavarësisht vështirësive me gjuhën angleze. “Do ta marr një elektrik dore nga makina e patrullës”, rrëshqet duke folur. Për fat të mirë, ky është një nga rreshtat e tij të vetëm.
Aspekti më befasues i filmit mund të jetë shpërfillja totale e Woodit për vazhdimësi. Atij i pëlqen të bëjë ndërthurje mes pamjeve të bodrumit dhe pamjeve profesionale të qyteteve dhe ushtrive, duke e injoruar faktin se nuk përputhen fare. Por, edhe brenda pamjeve të tij asgjë nuk përputhet. “Plani 9” hapet me titullin, “Criswell parashikon”, ku i Mahnitshmi Criswell, një psikik televiziv, u drejtohet shikuesve. “Të gjithë jemi të interesuar për të ardhmen”, thotë ai, “sepse aty do ta kalojmë, ju dhe unë, pjesën tjetër të jetës”. Tingëllon e arsyeshme, apo jo? Por, pastaj Criswell shkon përtej, duke vazhduar me marrëzi: “Dhe, mbaje mend, miku im, ngjarjet e tilla në të ardhmen do të ndikojnë tek ty në të ardhmen”. Në mënyrë të pabesueshme, bëhet edhe më keq. E mbyll hyrjen e tij kështu: “Po ju sjellim historinë e plotë të asaj që ndodhi në atë ditë fatale”. Pra … historia nuk është vendosur në të ardhmen? A është vendosur në të kaluarën? Atëherë, cili ishte qëllimi i gjithë kësaj zënke për të ardhmen?
Dhe … vazhdon. Disa minuta pas hapjes së Criswellit, rrëfimi i tij bie me “perëndim të diellit” e një pilot i linjës ajrore i referohet fjalisë “këtë herë në mëngjes”. I njëjti pilot më pas shikon një disk fluturues që lëkundet si cimbal. Menjëherë e informon gruan e tij: “Ishte në formën e një puroje të madhe”. Mospërputhja më famëkeqe, megjithatë, është se në disa skena të shkurtra, të heshtura, një nga të vdekurit e gjallë luhet nga Bela Lugosi, legjenda e horrorit e sinonim i Drakulës. Por, në disa skena tjera, i njëjti personazh luhet nga dikush shumë më i gjatë e më tullac – kiropraktiku i gruas së Woodit – me një mantel mbi fytyrën e tij me shpresën se shikuesit nuk do ta vërejnë ndryshimin. Pse? Sepse Woodi i kishte xhiruar disa fragmente të Lugosit pak para vdekjes së aktorit në vitin 1956 dhe mendonte se mund ta ndërtonte një film rreth tyre.
E gjithë kjo na sjell te arsyeja e dytë se pse “Plani 9” është kaq i dashur. Sado të jetë turpi qesharak në ekran, ngjarjet prapa skenave janë pothuajse po aq magjepsëse. Woodi ishte veteran i Luftës së Dytë Botërore i prirë për të mbajtur veshje grash, pulovra të angorës, diçka që shihet te filmi i tij i mëparshëm, “Glen ose Glenda” (Gleni apo Glenda). Kur ai nuk mundi ta bindte ndonjë studio të madhe për ta punësuar, mblodhi një ekip kuturu për të punuar për qindarka. “Filmat e tij ishin prodhime guerile të financuara jashtë kufijve të makinerisë së Hollivudit”, thotë Mendik, “gjë që e bën të dashur për adhuruesit e filmave kultë”.
Një nga bashkëpunëtorët e tij ishte Lugosi, ish-ylli hungarezo-amerikan, i cili në vitet 1950 ishte i dështuar, depresiv dhe i varur nga metadoni e morfina. Edhe pas vdekjes së tij, përfshirja e tij ndihmoi në sigurimin e financimit për “Planin 9”, por paratë e pakta erdhën nga Kisha Baptiste Jugore me kushtin që aktorët dhe ekipi të pagëzoheshin. Siç tregohet te “Ed Wood” i Burtonit, filmi ishte punë që bëhej me dashuri. Prandaj, thotë Sexton, është “apeli romantik” i një skenaristi-regjisori-producenti që “ka fituar statusin e një lloji antiautori”. “Plani 9” mund të jetë dështim, por është dështim heroik.
Dhe, këtu është çelësi i tretë i hijeshisë së tij të çuditshme: në fakt, nuk është dështim në çdo aspekt. Mos më keqkuptoni. “Plani 9” është film i tmerrshëm. Film i frikshëm. Film mizor. Por, ka disa elemente që janë gjysmë të mira e pa të cilat nuk ka gjasa të cilësohej si kult. Titulli, për fillim, është goditës. Nëse – siç thotë legjenda – u ndryshua nga “Hajnat e varreve nga gjithësia e jashtme” me insistimin e baptistëve, atëherë ata ia bënë një nder Woodit. Koncepti i alienëve që i kthejnë njerëzit nga të vdekurit është gjithashtu premtues. Dhe, disa imazhe janë mjaft të forta – ikonike madje – për të qenë posterë e për t’u kthyer në kostume halluini. Në veçanti, Maila “Vampira” Nurmi është arketipja gotike e ekranit shumë vjet para Morticia Addamsit ose Elvirës; dhe, ndonëse Johnsoni mund të ketë qenë katastrofik si polic, është zombi i frikshëm. Këta faktorë janë të mjaftueshëm për ta bërë filmin pothuajse të shikueshëm.
Janë disa studiues që do të shkonin më tej. Ernest Mathijs, bashkautor i udhëzuesit të BFI-së për 100 filmat kultë, pohon se “Plani 9” i “sfidon regjimet e shijes që krijojmë”. Rodney F Hill, i cili shkruan për Woodin në librin “Science Fiction Double Feature: The Science Fiction Film as Cult Text”, beson se është “kryevepër kulti” me “estetikë minimaliste avangarde”. Ai shpjegon se filmi “refuzon në mënyrë të qartë konventat e logjikës, vërtetësisë dhe unitetin që karakterizon kinemanë klasike të Hollivudit, në favor të një strukture më të lirshme, më gjarpëruese të temës, shpërfillje flagrante për rregullat e vazhdimësisë dhe ndoshta është një modernist apo brehtian për artificialitetin e vet”.
Nuk jam i sigurt, por, ndoshta, thjesht ndoshta, “Plani 9” nuk është filmi më i keq i të gjitha kohërave. “’The Room’” (Dhoma) e Tommy Wiseau është kandidati im për filmin më të keq”, thotë Mathijs, ndërsa Sexton zgjedh filmin “Manos: The Hands of Fate” (Manos: Duart e fatit) të vitit 1966. “Regjisori i këtij filmi”, thotë ai, “e bën Ed Wood të duket kompetent”. /Telegrafi/