Nga: Rachel Aroesti / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Sharon Van Etten: Nuk kam dëgjuar më parë një melodi kaq komplekse
Isha e rritur kur erdhi puna për ta dëgjuar muzikën e Kate-t. Si adoleshente u transferova në Tenesi; u përpoqa ta mbaroja ndonjë kolegj, por përfundova duke u kthyer në shtëpi te prindërit e mi me bishtin nën shalë. Shoqja e parë e rritur që bëra, pasi u ktheva, ishte asistentja e një piktoreje të quajtur Alison, dhe ajo ma lëshoi “Wuthering Heights” në një udhëtim me makinë nëpër Nju-Xhersi. Nuk kisha dëgjuar më parë një melodi kaq komplekse dhe në atë diapazon të lartë – apo një këngë kaq eksploruese në produksion dhe në aranzhim. Muzika që bën Kate Bush është mjaft sfiduese për zhanrin. Ta dëgjoje tek fliste romanin e Emily Brontë-s ishte diçka që nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë; duke u futur në një histori që nuk ishte e saj. Nuk kisha dëgjuar kurrë muzikë në mënyrë kaq letrare.
Si këngëtare, gjëja që më ka prekur drejtpërdrejt është stili i saj cirkular i melodive; njëri hyn në tjetrin dhe ata kurrë nuk përsëriten saktësisht në të njëjtën mënyrë. Nuk mendoj se ka ndonjëherë strukturë të rreptë e përsëritjes së pjesëve. Personi i gabuar mund ta bëjë atë që ajo bën të tingëllojë vërtet keq. në mënyrë të veçuar idetë mund të mos kenë kuptim, ndërsa ajo mund ta shtyjë atë në vend tjetër: zgjedhjet e saj janë vërtet të bukura, masive dhe dramatike. Më duket shumë si kinema.
Brian Molko, grupi Placebo: Mund të largohesha nga mundimi i jetës sime të përditshme
Njohja ime e parë me Kate Bush-in ishte videoja për këngën “Babooshka”, kur isha para adoleshencës. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë: kush është ky person nga hapësira e jashtme, duke kënduar këngë tepër të çuditshme? U mahnita plotësisht nga kjo grua e bukur që kishte karizëm të tillë dhe që dukej kaq unike. Më pas zbulova se vëllai im i madh e kishte e albumin “The Kick Inside”, kështu që u njoha me këngët “The Man With the Child in His Eyes” dhe “Wuthering Heights”. Pastaj [më 1985] doli “Hounds of Love” që më çmendi fare.
Ishte hera e parë që dëgjoja një disk që kishte unitet të tillë sonik: ishte një histori që tregohej nga fillimi në fund, veçanërisht në anën e dytë më ëndërrimtare, më psikodelike. Pagjumësia ime filloi kur isha shumë i ri kështu që në vend se të flija dëgjoja “Hounds of Love”: “Më lër të fle dhe të ëndërroj delet”.
Kate e krijoi universin e saj emocional. Jam nostalgjik për atë periudhë në muzikë, sepse mendoj se sot na jepet më shumë informacion, kështu që kemi më pak kapacitet për t’i krijuar ato universe personale përmes punës së dikujt tjetër. Duhet të ketë shumë paqartësi që të bëhet diçka shumë personale për çdo dëgjues. Muzika e Kate-t nënkuptonte se mund t’i lija vështirësitë e jetës së përditshme dhe situatën time familjare dhe të arratisesha në imagjinatë – kjo është ajo që kërkoj ende sot në muzikë.
Më pëlqeu pothuajse e gjithë kënga “Running Up That Hill”, por kishte disa gjëra që më shqetësonin. Njëri ishte tingulli i tupanit: real i viteve 1980 dhe mjaft gjenerik. Pastaj, teksa u futa gjithnjë e më shumë në tekst dhe vargjet më prekën, më shkoi mendja se ritmi i këngës ishte paksa i shpejtë që gravitat e tekstit të shtriheshin tamam. E kishim zakon t’i bënim versionet e këngëve tona të preferuara nga vitet 1980, kështu që sugjerova ta bënim “Running Up That Hill”, por që ta ngadalësonim ritmin sa më shumë që mundeshim pa e bërë këngë vaji. Dhe, padyshim që donim ta mbanim atë elektronikë me tinguj nga fillimi i viteve 2000. E takova Kate-n një herë në një festë: ishte një kompani diskografike dhe ishte një radhë e rregullt për të folur me të. Kur arrita pranë, gjëja e parë që më tha ishte: “Më pëlqen versioni i juaj i këngës sime”. Kaq mjaftoi. Jam shumë, shumë i kënaqur që e mori miratimin e Kate-t.
Rae Morris: Muzika e saj ka shkallë deri në Hënë dhe mbrapa
Kur isha rreth 14 vjeçe, babai më uli pranë një kompjuter desktop dhe ma lëshoi videon e këngës “Cloudbusting” në YouTube. Ishte videoklipi i parë muzikor që kisha parë e që kishte një rrëfim dhe një aktor të famshëm – Donald Sutherland. Ishte si film. Ende nuk bëja muzikë, por padyshim që ndezi diçka në trurin tim, si: “Oh, ueh, një krijuese femër ka pasur vizionin për këtë”! Menjëherë pas kësaj, shkova në HMV, bleva disa disqe dhe pak nga pak e bashkova historinë e muzikës së saj. Ndihesha sikur po e kapja hapin: gjithmonë kam ndier xhelozi të thellë që nuk e dëgjova radion kur doli për herë të parë “Wuthering Heights”.
Muzika e saj ka të bëjë me kombinimin e detajeve të vogla me gjërat shpirtërore, të botës tjetër, në ekran të madh: me shkallë vërtet madhështore, imagjinative deri në Hënë dhe mbrapa, por edhe me tingujt e gjakut që rrjedhin nëpër vena. Si adoleshente ndjeja se zëri i saj ishte zëri im i brendshëm. Më pëlqen gjithashtu se ajo është perëndeshë aspiruese dhe në të njëjtën kohë grua familjare që jeton në një fermë; është ekuilibri i përsosur i të qenit i paarritshëm, por edhe e ngrohtë. Si nënë ka qenë frymëzim i madh në kuptimin se mund të kesh fëmijë dhe ende të incizosh dhe të bësh turne kur të përshtatet. Më pëlqen që ajo kurrë nuk e ka luajtur lojën në atë mënyrë – ajo i ka rishkruar rregullat.
Mike Scott, grupi Waterboys: “Ne kishim kthyer një shpirt të vjetër”
Mike Scott, grupi The Waterboys: Na u kthye shpirti i vjetër
Kur Kate pati hitin e saj të parë me “Wuthering Heights”, ndjeva sikur ne – publiku britanik – kishim kthyer shpirtin e vjetër. Nuk ishte vetëm rezonanca e historisë, me “Ketin që kthehej në dritaren e Hitklifit”; ishte Kate, ai zë, ai karakter. Ishte sikur një lloj i vjetër i magjisë angleze u kthye në personalitetin e saj. Dhe, kështu ka qenë. I gjithë premtimi i atij “kthimi” të parë është realizuar dhe ajo e ka përmbushur atë.
Jenny Hval: Ajo raporton nga zona e luftës e përvojës njerëzore
Më kujtohet që shikoja videot e saj – “Hounds of Love”, “Cloudbusting” dhe “Running Up That Hill”. Isha vetëm pesë vjeçe në atë kohë, por më bënin të ndjeja shumë. Ishte aq emocionuese marrëdhënia mes fëmijës dhe babait në “Cloudbusting” sa që gjithmonë më bënte të qaja. Vazhdova ta shkruaj tezën time të masterit për dy albume të Kate Bush-it, “The Sensual World” dhe “The Dreaming”. E pashë gjithashtu rishkrimin e saj të Joyce-it në këngën “The Sensual World”, që mendoj se është, poetikisht, një nga projektet lirike më të suksesshme në muzikën pop.
Duke punuar në mënyrë intensive me muzikën e saj, më bëri të fitoja respekt të jashtëzakonshëm për të. Ndjej sikur është krejtësisht unike në aftësinë për të hulumtuar historitë e njerëzve të tjerë dhe për t’i ritreguar ato. Pra, shumë nga këngët e saj kanë të bëjnë drejtpërdrejt me një libër, një film ose një imazh. Dhe, në vend të tregimtares nostalgjike të muzikës pop, “nëse do të mund ta ktheja kohën pas”, dendësia emocionale e atyre tregimeve është gjithmonë e paprekur, përmes zërit të saj, kthesave të produksionit dhe temave të mrekullueshme melodike. Është si reportere, duke raportuar nga zona e luftës e përvojës njerëzore.
Hayden Thorpe, grupi Wild Beasts: Pionere, eksperimentale, harmonikisht e çuditshme
Kur nisa të performoja në fund të adoleshencës dhe në fillim të të njëzetave, njerëzit thanë se dukesha si një Kate Bush mashkull. Atë kohë u ofendova shumë nga njerëzit që thoshin se dukesha, nën a) si një grua dhe, nën b) si një artiste për të cilën nuk kisha dëgjuar. Por, që atëherë vendosa ta dëgjoj. Nisa që në ditën e parë – epoka e “Kick Inside”, “Wuthering Heights” – dhe kuptova se ajo që ajo krijoi atë kohë ishte një formë shprehjeje. Thuajse është bërë nënzhanër ajo formë e shprehjes hiperbolike – kaq njëjës dhe kaq unike në anglisht. Është sikur të jetë nga mitologjia angleze: Maid Marian, e mira kundër së keqes, pyjet. Mendoj se gjëja për të cilën ndoshta nuk i jepet mjaftueshëm merita është mjeshtëria sonike e disqeve të saj: janë pioniere, herë eksperimentale dhe nganjëherë harmonikisht të çuditshme, por duket se gjithmonë funksionojnë. “The Morning Fog”, kënga e fundit në “Hounds of Love”, është një lloj simfonie në mikro – të merr në këtë udhëtim vërtet bindës dhe të transporton.
Peaches: U rrita me të në kohë reale
Kur isha rreth 13 vjeç, shoqja ime Julia Rosenberg erdhi me “The Kick Inside” – ishte viti 1979, një vit pasi doli. Jam më e vogla nga tre fëmijët, dhe atë kohë vëllai im dëgjonte gjithçka, nga Yes te Ramones, motra ime ishte me Earth, Wind & Fire dhe Genesis, ndërsa prindërit e mi ishin pas muzikaleve dhe Barbra Streisand-it. Kështu që kur e mora këtë album të Kate Bush-it, isha sikur: kjo është muzika ime.
U fiksova pas atij albumi dhe më pas u futa në historinë e saj: si priti tre vjet para se ta performonte, në mënyrë që të mësonte si të kërcente dhe të gjitha këto gjëra. Pastaj morëm një VCR dhe unë e incizova filmin “The Tour of Life” – këtë shfaqje shumë dramatike të muzikës live [në Hammersmith Odeon]. Ishte e vetmja gjë që kisha në VCR dhe më pëlqente shumë. Askush nuk e bën atë që ajo bëri: duke bërë mimika, duke ecur në erë, duke bërë këto kërcime të rrjedhshme dhe më pas, në fund, përshëndet me të gjithë për dy minuta duke kërcyer lart e poshtë.
Jam rritur me të në kohë reale. Kur u bëra 16 vjeçe, doli “The Dreaming”. Kompania diskografike vazhdonte t’i thoshte të gjejë producentët dhe ajo tha “q…” dhe e ndërtoi studion e vet dhe u bë producentë e gjithë albumit; kishte një natyrë kaq të zjarrtë, të pavarur. Është shumë e çuditshme dhe jo shumë komerciale, por kaq e pabesueshme. Pastaj, kur doli “Hounds of Love”, unë thashë: O Zot, kjo është ajo! Kjo është gjithçka që ajo bën duke u përfshirë në një gjë, dhe në këtë stil të ri popi që mund të jetë i ndërlidhur dhe më në fund amerikanët dhe kanadezët do ta arrijnë te kjo. Daullet në “Running Up That Hill” janë të pamohueshme. Është pa kohë, nuk është ndonjë zhanër.
Shkathtësia e saj në performancë pati ndikim të tillë tek unë: sa e pavarur ishte dhe sa bujare me performancën: ajo e bën vërtet atë me skenarë dhe në mënyrë teatrale. Është kaq e përkushtuar, ndaj jeni përbrenda saj.
Barry Hyde, grupi The Futureheads: Ka ende shumë mister në të
Hera e parë që pashë Kate Bush-in ishte në videon “Babooshka”: Duhet të kem qenë rreth pesë vjeç. E kishim një përmbledhje të quajtur “The Whole Story” – një koleksion të videove të saj deri në mesin e viteve 1980 – dhe e shihnim rregullisht si familje. Kur u rrita nisa të dëgjoj albumet e saj. Më pëlqeu veçanërisht “The Dreaming” që ka një pjesë të çuditshme, pa bateri me digjerido në lidhje me australianët aborigjenë që ajo publikoi si këngë. Nuk kishte fare frikë. Muzika e saj është krejtësisht idiosinkratike. Çdo këngë është botë e ndryshme me zërin e saj; është si aktore në mënyrën se si e përdor zërin.
Fillimisht, doja që The Futureheads të bënin versionin e një këngë tjetër të Kate Bush-it të quajtur “The Big Sky”, por nuk funksionoi. Në turne më pas po dëgjonim “Hounds of Love” në furgon dhe basisti në grupin me të cilin bënim turne tha se do ta bënte një version vërtet të mirë. Sapo u kthyem në shtëpi, nga turneu, kuptova se vërtet nuk ishte asnjë akord në këngë – është thjesht një akord fuqie deri në fund. Kuptova gjithashtu se zëri im nuk është në të njëjtin diapazon me atë të Kate Bush-it, kështu që e transferova atë në një çelës tjetër. Mendova se mund të bëhej me një hyrje të vogël, kështu që i thashë [vokalistit dhe kitaristit] Ross-it, pse nuk provoni të këndoni “Oh-oh-oh-oh”? Sipas versionit të saj, ajo po e bën një lehje qeni, por menduam se ishte një hap ndryshe. Ishte sukses i madh – NME e votoi si këngën e vitit, ishte këngë në Top 10 – dhe Kate Bush përfundimisht na kontaktoi. Ishim duke incizuar albumin tonë të dytë në një shtëpi në fermë në Jorkshajr dhe menaxheri ynë tha se ajo do të telefonojë; ishim të tmerruar të përgjigjeshim në telefon, sepse ishte si të flisnim me një perëndeshë ose me mbretëreshën. Na telefonoi kur ne nuk ishim atje dhe la një mesazh duke na falënderuar për mbulimin e “Hounds of Love” dhe na uroi për sezonin festiv. Ishte gjë kaq e bukur.
Edhe pas versionit të një prej këngëve të saj, zbulova se kur dëgjoj muzikën e saj ka ende shumë mister për mua; shpeshherë vërtet nuk e di se çfarë ajo bën. Kjo nuk është diçka që ndodh shpesh, sepse tani jam pedagog muzike, ndaj dëgjoj muzikë në mënyrë shumë analitike. Muzika e saj është art i jashtëzakonshëm: kaq i paparashikueshëm, thellësisht i bukur dhe nganjëherë shumë i çuditshëm.
Russell Mael, grupi Sparks: E krijoi botën e saj – dhe i qëndroi besnike asaj
Dhjetë gjërat e para në listën time të 2178 gjërave që më pëlqejnë për Kate Bush-in:
Dituria.
E sofistikuar.
Të mos përshtatesh.
Sfiduese muzikore, por jo duke deklaruar se është sfiduese muzikore.
Të mos jesh pjesë e një lëvizjeje. Krijoje lëvizjen tënde.
Jo pjesë e një modeli të kaluar muzikor.
Krijimi i botës tënde. Duke i qëndruar besnike asaj bote.
Nuk shkruani materiale që tingëllojnë sikur jeni të dëshpëruar për një hit. Por, megjithatë duke pasur hite.
Krijimi i zërit tënd. Literalisht dhe figurativisht.
Të kesh integritet. Me çdo kusht. /Telegrafi/