Për zbatimin e reformave në gjyqësor do të duhet më shumë kohë, por edhe ndryshime në qasje. Kjo është vërejtja kryesore në Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë në pjesën e gjyqësorit. Brukseli ka notuar se është arritur një nivel i caktuar i gatishmërisë, por rekomandoi që të zbatohet ajo që është paraparë në Strategjinë për reformat në gjyqësor, me qëllim luftimin e ndërhyrjes së politikës në gjyqësor. Ish-gjykatësi dhe avokati Jovan Joanidis mendon se KE me këto vlerësime dërgoi mesazh se gjykata duhet të ndryshojë qasjen.
“Qasja e gjykatës duhet të jetë e tillë që t’i mundësojë palës mbrojtëse t’i ketë të gjitha provat para saj, dhe kjo do të thotë parim i barazisë së armëve. Atë që e ka prokurori, ta ketë edhe pala mbrojtëse”, u shpreh Jovan Joanidis, Ish gjykatës.
Raporti dërgoi kritika serioze ndaj Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të prokurorëve publik. Komisioni Evropian tha se që të dyja organet nuk duhet ta presin rezultatin e reformave që të përballen me kritikat.
Joanidis thotë se që të dy organet gjyqësore çdo herë kanë punuar sipas udhëzimeve të partisë e cila ka qenë në pushtet, dhe prandaj mendon se to duhet të shfuqizohen.
“Tani kemi situata kur nuk e dimë se kush zgjidhet dhe si zgjidhet, kush shfuqizohet dhe përse shfuqizohet. Kjo është kështu, pasi që partitë në pushtet funksionojnë përmes personave të caktuar, kompetent për politikë kadrovike dhe ata duhet të vendosin. Ata nuk mund të jenë transparent”, shtoi Joanidis.
Komisioni Evropian mendon se ka pasur lëshime në procedurat e transparencës gjatë caktimit të disa kryetarëve nëpër gjykata por se edhe zgjedhja e gjykatësve dhe prokurorëve, jo gjithmonë është bërë sipas sistemit të meritokracisë. Në pjesën për Prokurorisë Speciale, në raport thuhet se PPS përballet me rezistencë më të dobët nga gjykatat, kështu që tani mund të punojë në mënyrë më efikase./tv21/