Site icon Telegrafi

“Është koha për të vdekur” – fjalët shokuese që tha sulmuesi i shkollës fillore në Teksas sipas të mbijetuarit nëntëvjeçar

Sulmuesi që vrau 19 nxënës dhe dy mësues në të shtënat masive në Uvalde i tha një klase me fëmijë “Është koha për të vdekur”, sipas një nxënësi të klasës së katërt që i mbijetoi sulmit.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, fjalët shokuese që besohet t’i ketë thënë Salvador Ramos brenda shkollës fillore Robb u bënë të ditura nga një 9-vjeçar, derisa përshkroi se u fsheh nën një tavolinë gjatë sulmit me të shtëna.

“Ai qëlloi derën në klasën tjetër. Ne kemi një derë në mes. Ai e hapi atë. Ai hyri dhe u përkul pak dhe tha: “Është koha për të vdekur”, tha nxënësi. “Kur ai shtiu, ishte shumë e zhurmshme dhe më lëndoi veshin”.

Nxënësi tha se kur dëgjoi për herë të parë të shtëna armësh nga jashtë klasës, ai iu drejtua shokut të tij dhe i tha atij “të fshihej nën diçka që ai të mos i gjente”.

“Po fshihesha mirë. Dhe i thosha shokut tim që të mos fliste pasi do të na dëgjonte”, tha ai.

Djali dhe katër nxënës të tjerë thuhet se u fshehën nën një tavolinë që kishte një mbulesë tavoline mbi të.

“Kur erdhën policët, polici tha: ‘Bërtitni nëse keni nevojë për ndihmë!’ Dhe një nga personat në klasën time tha ‘ndihmë’, kujton studenti. “Djali e dëgjoi dhe… e qëlloi atë”.

Nëntëvjeçari thotë se oficeri më pas “u fut në atë klasë”.

“Djali qëlloi drejt oficerit”, tha ai. “Dhe policët filluan të qëllojnë”.

Gjatë situatës, nxënësi u shpreh se mësueset e tij Irma Garcia dhe Eva Mireles – të dyja që u vranë nga të shtënat –  “dolën para shokëve të mi të klasës për t’i ndihmuar, për t’i shpëtuar ata”.

Pasi Ramos u vra nga një oficer i Patrullës Kufitare, nxënësi shtoi se ai “hapi mbulesën” mbi tryezë dhe nxori dorën.

“Unë dola me shokun tim. E dija se ishte polici”, tha ai. “Unë pashë mburojën e tij”. /Telegrafi/

Exit mobile version