Telegrafi

A është kjo ura e xhamit më e gjatë në botë? Në Vietnam hapet ura e gjatë 632 metra, qëndron e varur në 150 metra lartësi

Në një zonë turistike malore në Vietnam është bërë hapja e urës së xhamit për këmbësorë, që qëndron e varur në 150 metra lartësi dhe është 632 metra e gjatë, që konsiderohet si një prej më të gjatave në botë.

Ura varëse Bach Long që do të thotë “dragoi i bardhë”, gjendet në provincën Son La në veriperëndim të Hanoit dhe kufizohet me Laosin, transmeton Telegrafi.

Sipas librit të rekordeve Guiness, ura më e gjatë e xhamit në botë është një strukturë në Guangdong të Kinës, që është 526 metra e gjatë.

Megjithatë asociacioni i rekordit botërorë që merret enkas me certifikimin e rekordeve, në ueb-faqen e saj urën e Vietnamit e quan më të gjatën në botë – pasi i ka 632 metra.

Projekti inxhinierik ka kërkuar që një pjesë e urës të jetë e varur për të mbrojtur natyrën – drunjtë dhe shkëmbinjtë.

“Nuk pata guxim të shikojë poshtë, pasi kam frikë nga lartësia”, tha vizitori Vi Thi Thu, 22-vjeç që mori pjesë në hapjen e kësaj ure.

Xhami i përforcuar ka tri shtresa – secila ka një trashësi prej 40 mm, kurse në urë të njëjtën kohë mund të qëndrojnë 450 persona.

Kjo është ura e tretë e xhamit që po ndërtohet viteve të fundit në juglindje të Vietnamit. /Telegrafi/