Telegrafi

A është kjo makina që ndezi zjarrin masiv – nga ku u dëmtuan rreth 1,500 automjete – në parkingun e aeroportit Luton të Londrës?

Ky është momenti kur një “Range Rover” shpërtheu në aeroportin Luton të Londrës, përpara një zjarri që përfshiu një parking dhe shkaktoi kaos udhëtimi për mijëra pasagjerë.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, rreth njëqind zjarrfikës kaluan 12 orë duke luftuar me zjarrin në parkingun e makinave të aeroportit, kur ai u përfshi nga flakët.

Deri në 50,000 pasagjerë kanë parë vonesa në aeroport, i cili u rihap vetëm në orën 15:00 të pasdites së sotme, pasi më shumë se 140 fluturime u anuluan.

Pesë persona janë dërguar në spital si pasojë e zjarrit, i cili përfundimisht është shuar mëngjesin e sotëm.

Hetuesit besojnë se zjarri filloi kur një makinë me naftë pësoi një defekt elektrik ose rrjedhje të karburantit.

Zjarri u përhap më pas pasi një numër i automjeteve elektrike shpërtheu në flakë në një efekt domino, vlerësoi një zjarrfikës.

Rreth 1500 automjete dyshohet se janë dëmtuar.

Parkingu i makinave, i cili u hap në vitin 2019 si pjesë e një projekti modernizimi prej 20 milionë funtesh (rreth 230 milionë euro), nuk kishte “spërkatës”.

Një shef zjarrfikës i kërkoi aeroportit t’i instalonte ato në parkingjet ekzistuese dhe të ardhshme, duke shtuar se “mund të ketë pasur një ndikim pozitiv në këtë incident”. /Telegrafi/