Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar të premten se është kapur qeni që ka sulmuar tre mjekë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Sipas Ramës, qeni nuk ishte i trajtuar me procedurat e nevojshme, por se tani është në mbajtje.
Të enjten, dy mjekë janë sulmuar nga qentë endacakë brenda oborrit të QKUK-së, e një tjetër jashtë këtij institucioni.
Rama në një konferencë për media ka thënë se i vjen keq që kanë ndodhur këto raste, por se sipas tij, problemi me qentë endacakë nuk mund të zgjidhjet vetëm nga Komuna e Prishtinës.
“Më vjen keq për rastin e kohës së fundit me mjekët në QKUK. Është zënë qeni dhe e kemi parë që nuk ka qenë i trajtuar. Domethënë ka ardhur nga diku. Ai tani është në mbajtje dhe do të trajtohet në bazë të proceseve ligjore dhe do të trajtohet si i tillë. Jemi duke bërë çdo gjë për ta zgjidhur problemin e qenve endacakë”, ka thënë i pari i Prishtinës në konferencë për media.
Lidhur me rastin e sulmit të mjekëve nga qentë ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, i cili ka kërkuar nga organet kompetente që ta trajtojnë me prioritet çështjen e qenve endacakë brenda oborrit të QKUK-së.
“ShSKUK ka kërkuar dhe në vazhdimësi dhe kërkon nga organet kompetente që të trajtojnë me prioritet çështjen e qenve endacak brenda oborrit të QKUK-së. Po ashtu, konfirmojmë se tre mjekët kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor në kuadër të QKUK-së”, thuhet në njoftim.
Në fillim të muajit prill, Komuna e Prishtinës njoftoi se janë hapur 18 pika të reja ushqyese për qentë endacakë në kryeqytet dhe totali i tyre ka shkuar në 23.