Telegrafi

Është hapur panairi i bletarisë

Panairi “Kosova 2010” është organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Lidhja e Bletarëve të Kosovës. Panairi do të jetë i hapur deri të shtunë, prodhimet janë duke u ekspozuar në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. 

Ministri i bujqësisë Blerand Staviceci, në hapje të panairit tha se ministria të cilën e drejton ai do të vazhdojë të përkrah sektorin e bletarisë në Kosovë. “Deri me tani nuk kemi pasur ndonjë projekt të veçantë që ka mbështetur drejtpërdrejtë bletarinë, por në kuadër të granteve që janë ndarë për ekonomitë e ndryshme bujqësore, në të kaluarën dhe tani, ka pasur edhe aplikant me projekte nga kjo fushë, të cilët kanë përfituar dhe janë mbështetur në mënyra të ndryshme”, tha ministri Stavileci.

Kryetari i Shoqatës w Bletarëve Halil Dermaku, tha se edhe bletaria varet shumë nga klima që dominon gjatë vitit.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka hartuar ligjin për bletari dhe tani është në proces të hartimit të akteve nënligjore për rregullimin e veprimeve që do të mundësojnë avancimin e mëtejmë të sektorit.
/Telegrafi/